Vetting-u/Takim Rama-Meta

Shqipëria

Vetting-u/Takim Rama-Meta

Më: 6 mars 2017 Në ora: 15:07
Edi Rama dhe Ilir Meta

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi dhe kryetari i komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, po zhvillojnë një takim të hënën me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, në ambientet e vilës 30.

Takimi i paraprin seancës plenare të orës 18:00, ku pritet të miratohet ngritja dhe përbërja e komisionit ad hoc me gjashtë anëtarë, të ndarë në paritet (3+3) mes shumicës dhe pakicës parlamentare. Ky komision do të bëjë verifikimin e kandidatëve të përzgjedhur nga Avokati i Popullit dhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, për organet që do të realizojnë procesin e vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë.

Para këtij takimi, kryeparlamentari Meta, përmes një letre zyrtare, i kërkoi drejtuesve të grupeve parlamentare që brenda orës 16:00 të ditës së sotme të paraqesin propozimet e tyre për anëtarët e komisionit ad hoc.

Mësohet se grupi parlamentar socialist, i mbledhur rreth orë 13:00, nuk ka marrë një vendim për emrat që do t’i propozohen seancës.

Ndërkohë, opozita e djathtë ka paralajmëruar se nuk do të jetë e pranishme sot në parlament, duke këmbëngulur në kërkesën e saj për krijimin e një qeverie teknike, që do të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat