Vetting-u, dosjet kthehen te Totozani/Ruçi: Edhe një javë aplikime

Shqipëria

Vetting-u, dosjet kthehen te Totozani/Ruçi: Edhe një javë aplikime

Më: 6 mars 2017 Në ora: 20:51
Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi ka shtyrë ditën e sotme votimin e projektvendimeve për ngritjen e komisioneve për Vetting-un pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.

Gjithashtu ka votuar një projektvendim që parashikon shtyrjen me një javë të afatit të aplikimeve për komisionin ad hoc.

Lajmi është konfirmuar nga kreu i Kuvendit Ilir Meta si dhe vetë Ruçi. Ky i fundit ka shtuar se, “arsyeja është sepse në listën e parë të kandidatëve janë 21 aplikantë për 28 vende në komisionet e Vetting-ut, ndërsa në listën e dytë të ardhur nga Avokati i Popullit, kandidatët kanë probleme dokumentacioni, ndaj do t’u jepet një tjetër mundësi që të paraqesin dokumentacionin e plotë”.

“Sot parlamenti u mblodh për të ngritur komisionin ad hoc. Në zbatim të reformës për drejtësi, presidenti i Republikës nuk e ushtroi kompetencën që kishte dhe ja kaloi Avokatit të Popullit i cili ka zbatuar rigorozisht kushtetutën për këtë çështje”, tha Ruçi.

Sipas tij, produkti i këtij procesi solli në Parlament 21 kandidatë për 28 vende. “Solli edhe një listë të dytë me emra që nuk plotësojnë kriteret për mungesë dokumentacioni. Kështu që komisioni që do ngrinte parlamenti sot do kishte vetëm 21 kandidatë për 28 vende. Ndaj ne nuk e pamë të arsyeshme që të bëhej votimi sot”, shtoi kreu i grupit parlamentar të PS-së.

“Për të siguruar një proces sa më të drejtë dhe për t’i dhënë një mundësi të barabartë të gjithë atyre që dëshirojnë, t’i japim një kohë prej 7 ditësh Avokatit të Popullit që t’i thërrasë këta aplikues, dhe të plotësojnë dokumentacionin”, vijoi Ruçi.

“Qoftë lista me 70 emra që ka kualifikuar institucioni i Avokatit të Popullit por për mungesë dokumentacioni kanë mbetur në listën B, atëherë t’u japim një javë kohë ët plotësojnë dokumentacionin. Po kështu brenda kësaj jave të mund të aplikojnë të gjithë ata që dëshirojnë. Kjo ishte arsyeja e ndryshimit të rendit të ditës”, shtoi Ruçi.

Dy projektvendimet që do diskutoheshin sot janë: Projektvendim “Për procedurat parlamentare për funksionimin e komisioneve ad hoc dhe realizimin e procesit të votimit sipas ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (neni 55, Rregullore, votim me shumicë të thjeshtë)
Projektvendimi “Për krijimin dhe përbërjen e komisionit ad hoc për verifikimin e kandidatëve për institucionet e rivlerësimit sipas ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (neni 55, Rregullore, votim me shumicë të thjeshtë).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat