Prapaskenat/ "Çfarë gabimi kam bërë? Nuk dorëhiqem, po deshe më shkarko!"

Shqipëria

Prapaskenat/ "Çfarë gabimi kam bërë? Nuk dorëhiqem, po deshe më shkarko!"

Më: 13 mars 2017 Në ora: 18:43
Saimir Tahiri dhe Edi Rama

Zbardhen prapaskenat e lëvizjeve të rrufeshme në qeveri.

I pari që e mori vesh largimin nga detyra e ministrit ishte ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, që të premten në darkë.

Persona pranë ministrit Tahiri pohuan se ai ka mbetur i habitur kur i është kërkuar nga kryeministri që të japë dorëheqjen si ministër

Pasi është kthyer nga Gjermania, Rama ka thirrur Tahirin në zyrë, ku i ka përsëritur kërkesën për të dhënë dorëheqjen. Por ndryshe nga ç’pritej, Tahiri e ka kundërshtuar këtë kërkesë të Ramës.

“Më thuaj çfarë gabimi kam bërë, çfarë shkeljeje në detyrë që duhet të jap dorëheqjen. Unë nuk shoh asnjë arsye për të dhënë vetë dorëheqjen. Nëse do, mund të më shkarkosh nga detyra, kjo është kompetenca jote dhe mund ta bësh, por dorëheqje unë nuk jap”, mësohet të ketë qenë komunikimi i fundit aspak i qetë mes tyre. 

Ministrat e tjerë që u përfshinë nga Kryeministri Rama për t’u larguar janë njoftuar të shtunën pasdite vonë. Ministri i Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi, ka qenë në një udhëtim pune me një grup gazetarësh në qarqet e Jugut për të treguar efektet e reformës territoriale.

Por ai është lajmëruar nga Kryeministri Rama dhe është detyruar të ndërpresë këtë aktivitet për t’u kthyer që të shtunën në darkë në Tiranë. Edhe ministrat Beqaj dhe Klosi nuk kanë pasur dijeni për vendimin e Kryeministrit Rama deri të shtunën pasdite.

Për të vlerësuar deri në minutën e fundit punën e ministrave të tij, pak para mbledhjes në selinë rozë, Kryeministri Rama ishte dje paradite me ministrin Beqaj në Spitalin e Traumës për të inspektuar rikonstruksionin e plotë që po i bëhet repartit të Urgjencës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat