Tabelat, pagat e reja për të gjitha kategoritë e nëpunësve të shtetit

Shqipëria

Tabelat, pagat e reja për të gjitha kategoritë e nëpunësve të shtetit

Më: 17 mars 2017 Në ora: 07:17
Ilustrim

Janë publikuar dje në Fletoren Zyrtare strukturat e pagave të administratës publike, si dhe shtesa që është vendosur së fundmi nga ana e qeverisë. Në tabelat përkatëse, jepen të detajuara kategoritë dhe pagat për nëpunësit civilë, nëpunësit e kabineteve në qeveri, administratat e Presidentit, Kuvendit, KQZ, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme, institucionet e pavarura, institucionet në varësi të kryeministrit, institucionet në varësi të ministrave të linjës dhe administratën e prefektit. Gjithashtu janë publikuar tabelat me shtesat në pagë, të cilat variojnë nga 5 deri në 30 mijë lekë.

Me VKN-në e re, paga e zëvendësministërit bëhet 153.300 lekë; drejtor i Kabinetit të Presidentit, të Kryeministrit, të Kryetarit të Kuvendit, të Prokurorit të Përgjithshëm, të Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe të Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, barazohet në pagë me nëpunësin civil të kategorisë I-a. Zëvendësdrejtori i Kabinetit të Kryeministrit do të paguhet 154.900 lekë në muaj; kryendihmës në kabinetin e Kryeministrit 152.200 lekë.

Kurse këshilltari i Presidentit, i Kryeministrit, i Kryetarit të Kuvendit, i Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Këshilltari për Protokollin i Kryeministrit, Këshilltari për Protokollin i Presidentit, zëdhënësi i Presidentit, Drejtori i Kabinetit të zëvendëskryeministrit, Drejtori i Kabinetit të Avokatit të Popullit barazohen në pagë me zëvendësministrin; këshilltari i Prokurorit të Përgjithshëm, i Kryetarit të Gjykatës së Lartë, i Avokatit të Popullit, Ndihmësi i Presidentit, i Kryeministrit dhe i Kryetarit të Kuvendit dhe Këshilltari i zëvendëskryeministrit barazohen në pagë me nëpunësin civil të kategorisë I-b.
Prefekti i Qarkut të Tiranës do ta ketë pagën mujore 130.300 lekë, prefekti i qarqeve të tjera 118.300 lekë.

Nënprefekti i nënprefekturave Kavajë, Lushnjë dhe Sarandë 99.800 lekë; nënprefekti i nënprefekturave Krujë, Pogradec, Librazhd, Tepelenë, Përmet, Mat, Pukë, Tropojë dhe Skrapar 92.400 lekë dhe nënprefekti i nënprefekturave Malësi e Madhe, Bulqizë, Peqin, Gramsh, Devoll, Mallakastër, Has, Kuçovë, Mirditë, Delvinë, Kurbin dhe Kolonjë 88.000 lekë.

Sekretari i Presidentit, i Kryeministrit, i Kryetarit të Kuvendit, i Kryetarit të Gjykatës së Lartë, i Prokurorit të Përgjithshëm, i Zëvendëskryeministrit, i Nënkryetarit të Kuvendit dhe i Avokatit të Popullit do të paguhet 73.500 lekë.
Shtesa për vjetërsi në punë për të gjitha pozicionet jepet në masën 2% pas çdo viti pune, deri në 25 vjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat