Viti i mbrapshtë ’67 – Një event në Arkidioqezën e Tiranë-Durrësit

Shqipëria

Viti i mbrapshtë ’67 – Një event në Arkidioqezën e Tiranë-Durrësit

Nga: Frank Shkreli Më: 17 mars 2017 Në ora: 08:25
Pamje nga eventi

Eventi ishte shpallur me kohë dhe në të vërtetë kishte një lloj pritjeje nga ana e njerëzve që gjithsesi nuk u zhgënjye, qoftë për materialin e paraqitur e qoftë për ndërhyrjet e një niveli shumë të lartë për ngjarjen që trajtonin.

Nën moderimin e gazetarit Alfred Lela eventin e hapi Imzot Gjergj Frendo, Arqipeshkëv i Tiranë-Durrësit dhe organizuesi i kësaj veprimtarie i cili bëri një sintezë historike dhe filozofike të konceptit marksist të fesë si opium i popujve. Ai tregoi se si Enver Hoxha kishte një urrejtje të madhe ndaj fesë e sidomos ndaj katolikëve. Këtë Imzot Frendo e tregoi duke cituar vetë fjalët e Emver Hoxhës: “Hierarkët katolikë ishin njerëz pa atdhe… Subvencionet e tyre, rrogat e çdo gjë tjetër dilnin nga grabitja që u bëhej besimtarëve në forma dhuratash e deri në detyrimin me forcë të besimtarëve për t’i lënë trashëgim kishës pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme. Të gjithë hierarkitë e kishës katolike, nga më kryesori deri të xhakoi e te famullitari, ishin të mësuar, të shkolluar me shkollë teologjike, me disiplinë të hekurt, me metodat dhe dredhitë e shtypjes së vullnetit të njerëzve me frikën e zotit, të Krishtit dhe të apostujve.”

Më pas fjalën e morën shkurtimisht Zonja Genta Popa dhe Zoti Dashnor Kaloçi, të dy gazetarë të cilët janë edhe autorë të dokumentarit televiziv “Viti i mallkuar 1976” realizuar nga Top Media, në të cilin flitet, me anë të pamjeve dhe dokumenteve, se çfarë kishte ndodhur në atë vit në luftën kundër fesë, objekteve të kultit dhe klerikëve.

Shfaqja e pjesës së parë të dokumentarit pasoi me dy ndërhyrje. Së pari e mori fjalën gazetari i TV Klanit dhe moderatori i emisionit Opinion, Blendi Fevziu i cili solli në vëmendjen e të gjithëve dy histori të trishta të kohës së komunizmit: historinë e Dom Shtjefën Kurtit dhe të Nënë Terezës. I pari u pushkatua për një pagëzim, ndërsa e dyta nuk u lejua të shihte nënën e saj. Ndjehej në fjalët dhe në vetë zërin e Fevziut emocioni që ai përcolli dhe që përjetoi edhe në veten e parë.

Më pas profesoreshë Aljula Jubani solli në vëmendjen e të gjithëve, me anë të një ligjërate të një niveli të lartë akademik, rolin e klerit dhe të kishës në formësimin shpirtëror, kulturor dhe arsimor të shqiptarëve. Ajo, duke e nisur udhëtimin e saj historik qysh nga mesjeta, i shkoi kundër një lloj historiografie komuniste për të thënë disa të vërteta që shpesh heshtën. Regjimi komunist me gjithë këtë kontributet që Kisha dhe kleri dha ndër shekuj, për ruajtjen e identiteti shpirtëror të shqiptarëve, nuk u zmbraps në persekutimin e tij duke lënë gjurmë dhe pasoja të rënda në jetën dhe shpirtin e shqiptarëve.

Aktiviteti u mbyll me shfaqjen e pjesës së dytë të dokumentarit “Viti i Mallkuar 1967”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat