Fatmir Xhafaj i ndjekur penalisht nga deputeti i PS. Ja shkeljet dhe emri

Shqipëria

Fatmir Xhafaj i ndjekur penalisht nga deputeti i PS. Ja shkeljet dhe emri

Më: 19 mars 2017 Në ora: 15:41
Deputeti i PS-së Fatmir Xhafaj

Deputeti i PS-së Fatmir Xhafaj është propozuar nga Edi Rama si ministër i Brendshëm, në vend të të larguarit Saimir Tahiri. Por Xhafaj nuk e ka për herë të qenit ministër. Ai ka mbajtur këtë post edhe në qeverisjen e Fatos Nanos, deri në vitin 2005.

Fatmir Xhafaj ka qenë ministër i Drejtësisë dhe duke qenë në këtë post, Xhafaj është kallëzuar penalisht të paktën dy herë, dosje që i ka mbyllur kryeprokurori i Tiranës në atë kohë, e sot deputet i PS-së.

Gjatë ushtrimit të detyrës si Ministër i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj është kallzuar penalisht në 2 raste, për abuzime të shumta në procedurat e prokurimit publik.

Më evidente janë dy rastet e mëposhtme:

Procedura e prokurimit “Adaptimi i Hotelit të Punëtorëve në Pogradec dhe përshtatja e tij në Institut të Vuajtjes së Dënimit për të mitur”, viti 2005

Në këtë procedurë, Xhafaj, pa zhvilluar asnjë procedurë prokurimi, as të drejtpërdrejtë dhe as të hapur, ka përzgjedhur vetë firmën fituese dhe ka autorizuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për të lidhur kontratën me të. Edhe pse fillimisht në momentin e lidhjes së kontratës, firma ka pranuar realizimin në tërësi të objektit me vlerën e prokuruar (rreth 47 milion lekë), pas nënshkrimit të saj është paraqitur një preventiv i ri punimesh, ku me shumën e prokuruar do të kryheshin vetëm 1/3 e punimeve të rëna dakord më parë. Kjo praktikë e paprecedentë është pranuar nga Xhafaj në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë. Ndërtimi ka filluar edhe pse nuk ka pasur leje ndërtimi dhe prona nuk ka qenë e regjistruar në pronësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Mbi shkeljet në këtë procedurë prokurimi ka hetuar edhe prokuroria, e cila ka konkluduar se të gjitha shkeljet janë kryer dhe se lidhja e kontratës me firmën është bërë pa ndjekur procedurat e prokurimit, mirëpo i ka klasifikuar shkeljet si të natyrës administrative dhe për pasojë ka vendosur pushimin e hetimeve.

Prokuror Rrethi në kohën e hetimit ka qenë deputeti i sotëm I PS, Vexhi Muçmata.

Mbi këtë investim i cili nuk u konkludua, Raport Progresi i KE për vitin 2005, evidenton dëmet dhe pasojat që vijnë nëse institucioni për rehabilitimin e të miturve do të ngriheshe në vendin ku kishte filluar (në Pogradec, zona elektorale e Fatmir Xhafajt në 2005).

Blerje automjetesh për Ministrinë e Drejtësisë

Edhe pse në vitin 2003, Ministria e Drejtësisë kishte blerë automjete për titullarin e institucionit, në vitin 2004, Fatmir Xhafa shpall procedurën e prokurimit për blerjen e automjeteve të reja po për titullarin e institucionit. Pasi ishte hapur procedura e prokurimit, Xhafaj ndryshon termat e procedurës, duke kaluar nga kërkesa për blerjen e automjeteve të reja, tek blerja e automjeteve të përdorura, me të njëjtën vlerë. Kjo ka bërë që pa asnjë arsye, procedura e prokurimit të shtyhet 2 herë dhe të anulohet një herë.

Rezulton e provuar nga dokumentacioni përkatës që Fatmir Xhafaj, në cilësinë e titullarit, të ketë shpallur fituesin për këtë procedurë prokurimi, tre ditë përpara se Komisioni i Tenderit të bënte përcaktimin e firmës fituese, duke i diktuar kështu komisionit firmën fituese. Gjithashtu, edhe automjetet e pranuara nga Xhafaj, nuk ishin të njëjta me specifikimet teknike të tenderit dhe kontratës së lidhur, si dhe çmimi i blerjes ishte disa herë më i lartë se çmimi i tregut.

Dëmi ekonomik që i është shkaktuar Buxhetit të Shtetit ka qenë 3.8 milion lekë. Shkeljet i janë njoftuar Xhafajt nga Auditi i Brendshëm i Ministrisë, mirëpo në vend të marrjes së masave për moslejimin e abuzimeve, ai ka shkarkuar punonjësin e auditit që ka evidentuar paraprakisht këto shkelje.

Edhe për këto shkelje ka pasur kallëzim penal, mirëpo prokuroria e drejtuar nga Vexhi Muçmata, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat