Ahmetaj viziton Qendrën e Thirrjeve të Tatimpaguesve: Shërbimi në funksion të lehtësimit të procedurave - Bota Sot
Ahmetaj viziton Qendrën e Thirrjeve të Tatimpaguesve: Shërbimi në funksion të lehtësimit të procedurave

Shqipëria

E enjte, 23 nëntor 2017

Ahmetaj viziton Qendrën e Thirrjeve të Tatimpaguesve: Shërbimi në funksion të lehtësimit të procedurave

Më: 20 mars 2017 Në ora: 14:18
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj vizitoi zyrat e shërbimit të tatimpaguesve për promovimin e Qendrës së Thirrjeve

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj vizitoi të hënën zyrat e shërbimit të tatimpaguesve për promovimin e Qendrës së Thirrjeve (Call Center) për Tatimpaguesit, shërbimi më i ri në ndihmë të sipërmarrjes.

Qendra e thirrjeve për tatimpaguesit nga data 1 shkurt ka filluar të operojë me kapacitet të plotë përmes tre formave të komunikimit me sipërmarrjen, thirrjet dalëse, thirrjet hyrëse dhe live chat, (përmes dritares së komunikimit që aksesohet drejtpërdrejt nga faqja zyrtare e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve).

Ministri Ahmetaj u shpreh se ky shërbim i ri për tatimpaguesit është një tjetër nismë në vazhdën e punës së nisur me thjeshtimin e procedurave tatimore në kuadër të fazës së dytë e të tretë të luftës kundër informalitetit, e fokusuar tashmë tek komunikimi i përditshëm, intensiv, me sipërmarrjen me qëllim nxitjen e pajtueshmërisë me ligjin dhe vetëkorrigjimin.

“Call Center për tatimpaguesit, është një shërbim në funksion të lehtësimit të procedurave tatimore. Këtu operatorët dhe specialistët, informojnë sipërmarrjen për të gjitha problematikat që mund të dalin gjatë punës së përditshme, pra, lehtëson proçedurën nëpërmjet punës nga zyra dhe komunikimit nga zyra me sipërmarrjen. Në të njëjtën kohë, sipërmarrja ka mundësinë të pyesë specialistët e shërbimit të tatimpaguesve online, për të marrë përgjigjet e duhura në kohë reale, apo për t’u orientuar në Drejtoritë Rajonale për çështje specifike që kanë nevojë për këshillim apo për orientim”, u shpreh Ahmetaj.

Vetëm në muajin shkurt janë njoftuar nga kjo qendër 25 mijë tatimpagues të biznesit të vogël dhe reagimi ka qenë jashtëzakonisht shumë pozitiv. “Ne besojmë që nëpërmjet komunikimit të rrisim vullnetarizmin në pagesa dhe qartësimin e të gjithë proçedurave”, tha ministri Ahmetaj.

Ndërsa Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero u shpreh se ky është një shërbim i ri, i pari i këtij lloji që u ofrohet tatimpaguesve. “Nxis tatimpagesit për të përdorur shërbimet tona online, sepse janë shërbime profesionale, shkurtojnë kohe dhe kosto për të mos u paraqitur pranë sporteleve. Gjithashtu i ftoj qytetarët, bizneset, tatimpaguesit të na ndihmojnë me sugjerimet e tyre për t’u përmirësuar”, tha Vjero.

Janë mesatarisht 1000 tatimpagues në ditë që telefonohen nga Qendra e Thirrjeve për Tatimpaguesit. Mbi 50 sipërmarrje në ditë kërkojnë asistencë nga qendra e thirrjeve përmes thirrjeve hyrëse. Nga 1 janari deri më 15 mars 2017 janë realizuar rreth 30 mijë telefonata me tatimpagues, për njoftime të natyrave të ndryshme: tatimpagues të biznesit të vogël për deklarimin e saktë të ardhurave të tyre brenda afatit 10.02.2017; tatimpagues të sektorit shëndetësor për të vetëkorrigjuar deklarimet e tyre, tatimpagues si mosdeklarues të xhiros me kasën fiskale etj. Aktualisht qendra është në përgatitje të fushatës së komunikimit për procesin e dorëzimit të pasqyrave financiare, bilanceve, afati për të cilat përfundon më 31 mars 2017. Po kështu në muajin në vijim veç të tjerash fushata do të përqëndrohet në njoftimin e individëve të cilët realizojnë të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test