Raporti vjetor i Prokurorisë nxjerr shifrat 'e frikshme': U rritën krimet kundër personit, vrasjet, vjedhjet...

Shqipëria

Raporti vjetor i Prokurorisë nxjerr shifrat 'e frikshme': U rritën krimet kundër personit, vrasjet, vjedhjet...

Më: 21 mars 2017 Në ora: 08:16
Ilustrim

Prokuroria e Përgjithshme ka dorëzuar në Kuvend raportin vjetor mbi gjendjen e kriminalitetit në vend.

Raporti voluminoz jep një tablo të qartë, mbi gjendjen e krimit në Shqipëri, duke filluar nga vrasjet, korrupsioni e vepra të tjera penale. Raporti pritet të analizohet dhe nga Komisioni i Sigurisë dhe të dëgjohet nga deputetët e Kuvendit. Vetëm gjatë vitit 2016 janë regjistruar 426 procedime penale për sa i përket krimeve kundër personit. Vetëm gjatë vitit 2016 janë riregjistruar 54 procedime penale me 31 të pandehur të dënuar për akuzën e vrasjes me paramendim. Ndërkohë në 2015, për akuzën e vrasjes me paramendim janë 31 të tilla. Ndërkohë që gjatë vitit 2015 statistikat tregojnë se shifrat janë 423 procedime penale. 

“Shqiptarja.com” mëson se gjatë vitit 2016 veprat penale kundër personit kanë pësuar një rritje, në krahasim me vitin 2015.Sipas Prokurorisë së Përgjithshme pesha specifike që zë ky grup veprash penale për vitin 2016 është 1,44 për qind e numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi, ndërsa për vitin 2015 ky grup veprash përbënte 1,3 për qind, të totalit të procedimeve. Pra vihet re një rritje e këtij treguesi për vitin 2016 në krahasim me vitin 2015. Sipas raportit vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme koefiçenti i kriminalitetit për 100.000 banorë për këtë grup veprash në vitin 2016, ka qenë 15,7 për qind ndërsa në vitin 2015 ka qenë 14,65 për qind. Nga të dhënat statistikore të paraqitura në tabelë, rezulton se në vitin 2016 ka një rritje prej 7 për qind, të numrit të procedimeve të regjistruara për “Krime Kundër Jetës të Kryera me Dashje” në krahasim me vitin 2015. Ndërkaq është shënuar një ulje prej 16,8 për qind të procedimeve të dërguara për gjykim në krahasim me vitin 2015. 

Në lidhje me të pandehurit e regjistruar për këtë grup veprash penale, vihet re rritje përkundrejt këtij totali në vitin 2015 prej 31 për qind, rritje e numrit të të pandehurve, të cilët i janë dërguar gjyqit prej 7,5 për qind dhe ulje e numrit të të pandehurve të dënuar nga gjykata me 9,7 për qind përkundrejt vitit 2015. Për vitin 2016 janë dërguar në gjyq 244 të pandehur, ndërkohë në 2015 janë dërguar në gjykatë si të pandehur 227 të tillë.  Në krahasim me vitin 2015, gjatë 2016 Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar dy procedime më pak për vrasjen e efektivave të Policisë së Shtetit. Vetëm 5 procedime janë regjistruar tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërkohë gjatë vitit 2015 kjo prokurori ka regjistruar 7 procedime për vrasjen e policëve. Ndërkohë statistikat tregojnë se gjatë vitit 2016 ka pasur një ulje të vogël, për sa i përket vrasjeve në familje. Brenda një viti janë regjistruar në total 26 procedime penale, nga 28 të tillë që ishin regjistruar gjatë vitit 2015. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat