Operacion antidrogë Shqipëri-Gjermani-Itali, 8 të arrestuar

Shqipëria

Operacion antidrogë Shqipëri-Gjermani-Itali, 8 të arrestuar

Më: 21 mars 2017 Në ora: 15:33
Idajet Faskaj

Në një konferencë për mediat, drejtori kundër Narkotikeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, Idajet Faskaj, ka konfirmuar se nga të arrestuarit, 6 janë shtetas shqiptarë, 1 maroken dhe 1 italian

Mes policisë së Shqipërisë, Italisë dhe asaj të Gjermanisë është realizuar operacioni ndërkombëtar antidrogë i koduar "Il Moro 2015", ku janë arrestuar 8 persona, 3 në Vlorë dhe 5 në Itali.

Në një konferencë për mediat, drejtori kundër Narkotikeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, Idajet Faskaj, ka konfirmuar se nga të arrestuarit, 6 janë shtetas shqiptarë, 1 maroken dhe 1 italian. 

“Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme Policia e Shtetit në bashkëpunim me partnerët e Italisë dhe Gjermanisë, ka zhvilluar operacionin e koduar ‘Il Moro’ në fushën e narkotrafikut. Hetimi ka nisur më parë nga autoritetet italiane (2015) dhe bënte fjalë për një grup të strukturuar kriminal, i cili kryente trafikun e kokainës dhe marijuanës nga vendet e ulëta të Evropës në drejtim të Italisë së Veriut”, ka deklaruar Faskaj. 

Si rezultat i operacionit të sotëm të zhvilluar njëkohësisht në të tre vendet, janë arrestuar 3 shtetas në Shqipëri, 5 shtetas në Itali si dhe sipas policisë pritet arrestimi i personave të tjerë në Gjermani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat