Probleme me llogaritë bankare në Shqipëri? Ja procedurat që duhen ndjekur

Shqipëria

Probleme me llogaritë bankare në Shqipëri? Ja procedurat që duhen ndjekur

Më: 23 mars 2017 Në ora: 09:37
Ilustrim

Administrata tatimore, pasi vërteton përmbushjen e kushtit ligjor për pagesën e detyrimit, lëshon urdhër për zhbllokim të llogarive bankare (apo të masave të tjera). 

Urdhri i zhbllokimit zyrtarisht i dërgohet të gjitha bankave të nivelit të dytë ku tatimpaguesi ka llogari bankare

Një pjesë e bizneseve kanë shprehur shqetësim në lidhje me bllokimin e llogarive bankare nga administrata tatimore për rastet që ata kanë konstatuar se nuk është paguar vlera e plotë e detyrimit. Sipas tyre, bllokimi ka ndodhur pa njoftim, ndërsa kur është shlyer detyrimi, llogaritë janë zhbllokuar me vonesë dhe jo brenda afatit të përcaktuar.

Por, në lidhje me këtë shqetësim, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron për “Monitor” të gjithë procedurën e mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor të papaguar, pra bllokimin e llogarive bankare, si dhe afatet.

Sipas tyre, kjo procedurë gjen zbatim nga ligji nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në RSH” i ndryshuar, kreu XI, nenet 88 – 104, si dhe udhëzimi nr. 24, datë 02.09.2008 “Për procedurat tatimore në RSH” i ndryshuar.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) sqaron: “Në nenin 88, pika 1 e ligjit është përcaktuar: Administrata tatimore ka autoritetin dhe kompetencat e dhëna sipas këtij kreu për të mbledhur detyrimet tatimore të papaguara, për të cilat nuk është ushtruar e drejta e ankimit apo kanë kaluar të gjitha fazat e shqyrtimit administrativ dhe gjyqësor.

Në vijim, në nenin 89, pika 1, është parashikuar se: Sa herë që administrata tatimore konstaton se një tatimpagues nuk ka paguar plotësisht dhe në datën e caktuar detyrimet tatimore, administrata tatimore i dërgon, me postë rekomande, një njoftim me shkrim, ku kërkon pagesën e plotë të detyrimit tatimor. Për njoftimin dhe kërkesën për të paguar zbatohen afatet dhe procedurat e parashikuara në nenin 69 të këtij ligji.

Tatimpaguesit, njoftimi dhe kërkesa për pagesë i shkon si në format elektronik në faqen e-filing e administruar prej tij brenda të gjitha afateve ligjore. Ndërkohë që ai njoftohet edhe zyrtarisht duke përfshirë këtu edhe afatet e shërbimit postar”, bën të ditur DPT.

Sipas saj, në njoftimin dhe kërkesën për pagesën e detyrimit, tatimpaguesit i përshkruhet përgjegjësia që ka për pagimin e detyrimit si në vijim: “Nëse ju nuk paguani vlerën e plotë të detyrimit tatimor, ndaj jush do të zbatohen procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore nga neni 90 e në vijim të ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

Për çdo sqarim që do t’ju duhet lidhur me “Njoftimin dhe kërkesën për të paguar”, mund të kontaktoni me inspektorin e ngarkuar për çështjen tuaj, pranë Sektorit të Mbledhjes së Tatimeve”.

Në lidhje me këtë, tatimpaguesi është vendosur në dijeni se mospërmbushja e detyrimit tatimor, do ta bëjë objekt të zbatimit të masave shtrënguese.

“Në zbatim të afateve procedurale të përcaktuara në pikën 1, të nenit 69, nëse tatimpaguesi brenda afatit 10-ditor nga marrja e njoftimit dhe kërkesës për pagesë, nuk ka paguar detyrimin, ndaj tij vijohet me masat shtrënguese për mbledhjen e detyrimit që në zbatim të ligjit është bllokimi i llogarive bankare, e përcaktuar në nenin 90 të ligjit:

“Nëse tatimpaguesi nuk paguan detyrimin tatimor në datën e caktuar, në përputhje me nenin 89 të këtij ligji, për njoftimin dhe kërkesën për pagesë, administrata tatimore, nëpërmjet një urdhri me shkrim, të lëshuar nga drejtori i drejtorisë rajonale apo drejtuesi i njësisë së ngjashme me të, apo titullari i zyrës tatimore të qeverisjes vendore, i kërkon çdo banke, ku tatimpaguesi ka llogari në emër të vet, të bllokojë një shumë, e cila duhet të jetë më e vogla ndërmjet:

 a) shumës që kërkohet të mbahet;

b) shumës, që rezulton në atë çast në llogarinë bankare të tatimpaguesit.”

Në udhëzimin nr. 24, datë 02.09.2008 “Për procedurat tatimore në RSH” i ndryshuar, përcaktohet qartë se të drejtën për zbatimin e urdhrit të bllokimit të llogarive e kanë bankat e nivelit të dytë.

“Ky Urdhër Bllokimi i dërgohet bankave tek të cilat administrata tatimore ka dijeni se tatimpaguesi, ose administratori apo pronarët e shoqërisë tregtare, kanë llogaritë e tyre, si dhe të gjitha bankave të tjera me seli në Republikën e Shqipërisë.

 Ekzekutimi i Urdhër Bllokimit bëhet jo më vonë se 5 ditë pune nga data e përfundimit të afatit prej 10 ditësh pune të lëshimit të Urdhër Bllokimit. Në rastin kur gjendja e llogarisë bankare është më e vogël nga detyrimi tatimor i papaguar, banka kalon në llogarinë e organit tatimor të gjithë shumën gjendje në llogarinë e tatimpaguesit dhe llogaria e tatimpaguesit mbetet e bllokuar deri sa të bëhet i mundur kalimi i së gjithë shumës së kërkuar në llogarinë e organit tatimor.

Në qoftë se tatimpaguesi ka më shumë se një llogari në të njëjtën bankë, banka, mbi bazën e urdhrit të organit tatimor, bllokon llogarinë/llogaritë që kanë shumën e mjaftueshme të detyrimit të papaguar. Me marrjen e Urdhrit të mësipërm nga administrata tatimore, banka, brenda së njëjtës ditë pune në të cilën ka marrë Urdhrin e Bllokimit, bllokon llogarinë apo depozitën e debitorit, në masën e detyrimit të papaguar dhe lajmëron menjëherë debitorin për bllokimin. Banka bën kalimin e shumës në favor të administratës tatimore brenda 3 ditëve pune bankare nga data e marrjes së Urdhër Bllokimit prej administratës tatimore.

Në zbatim të nenit 102 Ndërprerja e procedurave të mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në RSH” i ndryshuar, është përcaktuar se:

 Administrata tatimore ndërpret menjëherë zbatimin e masave shtrënguese të sigurimit të detyrimit tatimor, të parashikuar në këtë ligj:  

 a) kur tatimpaguesi shlyen plotësisht të gjitha detyrimet tatimore;

 Pra, në zbatim të ligjit, tatimpaguesi i cili i ka përmbushur kushtet e nenit 102 për pagimin e detyrimit tatimor të papaguar, i lind e drejta të kërkojë zhbllokimin e llogarive bankare (apo masave të tjera të marra në zbatim të ligjit). Administrata tatimore, pasi vërteton përmbushjen e kushtit ligjor për pagesën e detyrimit, lëshon urdhër për zhbllokimin e llogarive bankare (apo të masave të tjera). Urdhri i zhbllokimit zyrtarisht i dërgohet të gjitha bankave të nivelit të dytë ku tatimpaguesi ka llogari bankare”, bëjnë të ditur tatimet. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat