Legalizimet në zonat informale, Lame: Kujdes nga sekserët që përfitojnë nga hallet tuaja

Shqipëria

Legalizimet në zonat informale, Lame: Kujdes nga sekserët që përfitojnë nga hallet tuaja

Më: 23 mars 2017 Në ora: 13:47
Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame ka folur dot në lidhje me fazën përmbyllëse të procesit të legalizimeve në zonat informale.

Ai ka premtuar se në fund të këtij muaji do të arrijmë në shifrën 120.000 të legalizimeve të kryera në rang Republike si dhe do të vazhdojnë të mbajnë kuotën prej rreth 4500 deri 5000 legalizime në muaj.  “Ka qenë dhe mbetet detyrim i yni të sqarojmë qytetarët, duke ju ofruar zgjidhje problematikave të tyre, apo duke i orientuar në xhunglën e legjislacionit shqiptar. Por ky sukses i Institucionit dhe lidhja e kontaktet e përditshme me qytetarët, ka krijuar edhe efekte anësore të pakëndshme. Në shumë raste, pranë drejtorive tona rajonale, janë vënë re individë që përpiqen të përfitojnë nga hallet e njerëzve, duke bërë rolin e sekserit”, tha Lame. 

Ndër të tjera, ai ka bërë edhe një thirrje për qytetarët që të kenë kujdes nga mashtruesët.

“Janë identifikuar sekserë e spekulantë, përfitues, akaparues, e lloj lloj ndërmjetësish të qenë e të paqenë, që mblidhen si mizat në mjaltë. Përpara tri ditësh, Policia e Shtetit arrestoi një individ që, duke u shtirë si nëndrejtor i ALUIZNI-t ju kërkonte para qytetarëve për procesin e legalizimit të banesave të tyre. Përpara rreth një muaji, në Farkë Policia arrestoi një tjetër individ që ushtronte të njëtin “zanat” dhe të cilit ju gjetën në banesë grumbuj dokumentash pronësie dhe legalizimi, qytetarësh të ndryshëm. Përpara disa ditësh, në një takim publik me qytetarët, me qëllim sqarimin e problematikave dhe procedurave të legalizimit të pallateve, na u denoncua prej tyre fakti që i kishin paguar para të gjithë banorët një shumë parash një individi që ju kishte premtuar t’ju bënte legalizimin", tha ai. 

"Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të mos bëhen pre e këtyre personave. Të mos i jepen ngasjes që, përmes pagesave nën dorë, të shpresojnë se mund të zgjidhin punë. Mos ju zini besë personave që ju paraqiten në shtëpitë tuaja pa qenë të pajisur me dokumentin përkatës të identifikimit dhe të punonjësit të ALUIZNI-t. Një legalizim ose bëhet ose nuk bëhet, sipas dispozitave ligjore. Dhe nëse ligji nuk e jep, nuk ka Maliq që të mund ta bëjë duke dhënë para nën dorë. Përgjegjës për legalizimin e shtëpisë tuaj është vetëm Drejtoria përkatëse e ALUIZNI-t dhe jo tufa e përfituesve që, në shumicën dërmuese të rasteve, janë thjesht mashtrues të rëndomtë, pa asnjë lidhje reale me Institucionin. Ftoj çdo qytetar të denoncojë pranë Drejtorëve përkatës apo direkt pranë meje, çdo rast sekserllëqesh të tilla. Emaili im ka qenë dhe është i hapur për të gjithë. Portali antikorrupsion i Kryeministrisë, faqja zyrtare e ALUIZNIT, faqja ime në FB, faqja e Institucionit në FB, janë gjithashtu të hapura dhe në dispozicionin tuaj", tha ai. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat