Meta fjalim për ditën e Veterinarisë, thirrje të rinjve të studiojnë për degët e bujqësisë dhe blegtorisë

Shqipëria

Meta fjalim për ditën e Veterinarisë, thirrje të rinjve të studiojnë për degët e bujqësisë dhe blegtorisë

Më: 23 mars 2017 Në ora: 14:05
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në Konferencën Kombëtare të Urdhrit të Mjekut Veterinar me temë “Mjeku veterinar shqiptar dhe sfidat për të ardhmen”

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë në Konferencën Kombëtare të Urdhrit të Mjekut Veterinar me temë “Mjeku veterinar shqiptar dhe sfidat për të ardhmen”

Në këtë konferencë, Meta mbajti edhe një fjalë përshëndetëse ku theksoi rëndësinë e krijimit të kësaj dege shkencore në vendin tonë e cila ndihmon në përmirësimin e produktit blegtoral si edhe në rritjen ekonomike të vendit.

“Dita e veterinerit trupëzon virtytet, vlerat profesionale dhe frymën e themeluesve të këtij shërbimi jashtëzakonisht të rëndësishëm me në krye profesor Bilal Golemi që në vitin 1928. Që nga ajo kohë një plejadë e tërë profesionistësh shërbyen me përkushtim për të parandaluar dhe çrrënjosur sëmundje të rrezikshme, jo vetëm për kafshët, por edhe për njerëzit si bruceloza, turbekuloza, plasja, tërbimi, etj. U prodhuan vaksinat shqiptare për mbrojtjen e blegtorisë nga sëmundjet. U zhdukën vatra e infeksionit dhe u vendos mbarështimi i kafshëve mbi baza shkencore. Dita e veterinarisë sot përjeton edhe frytet e para të reformës së veterinarisë, që trajton shëndetin e kafshëve si pjesë e shëndetit publik dhe themeloi për herë të parë në çdo qark të vendit stacionet veterinare”,- tha z. Meta duke shtuar se shërbimi veterinar në vend po zhvillohet edhe më shumë, duke përmendur rastin e përballimit të sëmundjes së Dermatozës Modulare”, tha Kryetari i Kuvendit.

Ndërkaq, Meta më fjalën e tij nënvizoi mbështetjen e tij për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj dege të mjekësisë si një domosdoshmëri jo vetëm për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve, por edhe me arritjen e standardeve më të larta për prodhimet blegtorale.

“Njëkohësisht, dua të theksoj rëndësinë e mbështetjes më tej të rritjes së cilësisë së këtij shërbimi dhe të modernizimit të tij si një domosdoshmëri, jo vetëm për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve, që është tashmë prioritar, por njëkohësisht është i lidhur ngushtë edhe me arritjen e standardeve për prodhimet tona blegtorale për rritjen e eksportit. Çka është një domosdoshmëri, jo vetëm për rritjen e prodhimit në vend, jo vetëm për rritjen e të ardhurave të ekonomisë kombëtare, por edhe për rritjen e të ardhurave të fermerëve tanë kudo në të gjithë vendin”, shtoi Meta.

Kryetari i Kuvendit i bëri gjithashtu thirrje të rinjve që ta shohin Universitetin Bujqësor të Shqipërisë më me shumë interes si një nga degët më potenciale të vendit. “Për fat të mirë, tashmë është rikthyer interesi në mbështetje të këtij universiteti dhe për fat të mirë, ende ne kemi mjaft profesorë, mjaftë intelektual në këto fusha, të cilët nuk e kanë humbur pasionin e tyre për t’i mësuar më të rinjtë dhe për t’i ndihmuar që ta shikojnë këtë profesion jo vetëm si profesion fisnik, por edhe si një profesion që do të sigurojë të ardhura shumë më të mira duke punuar këtu në vendin tonë. Ndaj mirënjohjen më të madhe për të gjithë ata profesorë, është kënaqësi që takova sot edhe profesor Haxhiun, kisha kohë pa e takuar, sepse vërtetë bujqësia, veterinaria, janë shkenca dhe janë nga shkencat më të vërteta por janë njëkohësisht nga shkencat më humane. Mjaft të perifrazojmë shprehjen e njohur se në qoftë se mjeku i zakonshëm shpëton një njeri, mjeku veterinar ndihmon për shpëtimin e njerëzimit”,- tha Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat