Blushi dhe Rama i nxjerrin sekretet njëri-tjetrit

Shqipëria

Blushi dhe Rama i nxjerrin sekretet njëri-tjetrit

Më: 23 mars 2017 Në ora: 20:34
Edi Rama dhe Ben Blushi

Në mungesë të opozitës në Kuvend, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ta shfryjë mllefin ndaj kreut të LIBRA-s, Ben Blushi. Ndryshe nga shumë herë të tjera, kur Rama anashkalonte Ben Blushin dhe akuzat e tij në Kuvend, sot kishte vendosur të përballej me të dhe madje me një gjuhë të ashpër.

Më shumë sesa në çështje politikash, sulmi ishte përqëndruar në aspektin personal, duke përmendur disa herë raportin miqësor mes tyre.

“Sepse kush të njeh o miku im i pandreqshëm, e di që me ty mund të kalohet bukur darkave çakërqejf, hidh e prit fjalë, mbush e zbraz verë, por me ty nuk shkohet asgjëkundi në mëngjes, se mirë s’ke fuqi të përballosh mundimet e rrugës, por ke një dreq zakoni që çdo 10 hapa do t’i futësh stërkëmbësha bashkëudhëtarëve”, i tha Edi Rama duke e këshilluar Blushin që kur del në fotografi me të varfërit të heqë syzet e diellit sepse duket si turist.

Më pas Blushi i kundërpërgjigjet se ai nuk merret me çështje personale, ndonëse di shumë që prej kohës kur Rama qante për t’u bërë kryebashkiak, ministër apo kryeministër e kur i lutej Fatos Nanos për një vend pune.

“Unë nuk jam njeri banal, nuk merrem me gjëra personale, unë flas për politika. E sigurisht që s’kam për t’i thënë, shumë që di e shumë që më kanë thënë që di. Unë nuk tregoj me kë pi verë, sepse nuk e derdh gotën e verës, unë nuk tregoj me kë ha sepse nuk e përmbys kupën.  Edhe pjatën. Unë nuk vij në Parlament të flas për gjërat personale. Ti je bërë me të gjithë horrat e Shqipërisë, prandaj nuk meriton të jesh më miku im. Megjithatë historia vazhdon, më dil përballë edhe mos u bë si sot që vjen këtu e mban fjalime kundër shpinës. Ti e ke këtë, të vret pas shpine, e dinë të gjithë”, i tha Blushi

Në vijim të sulmeve të tij kryeministri e cilësoi Blushin si një “mbeturinë të KPD-së në PS”, ndonëse tha ai, pretenton që të jetë politikani i ri e që pritet të dërmojë partitë e vjetra. Më pas Rama tregoi edhe një histori, që sipas tij ilustron marrëdhënien me Blushin.

“Për ata që nuk e njohin është historia e akrepit me bretkosën. I thotë akrepi bretkosës: Të të hipi në kurrizë që ta kalojmë bashkë këtë lumë? Hajde i thotë bretkosa. M’u në mes të lumit, akrepi i fut thumbin. Cfarë bëre i thotë bretkosa, na mbyte të dyve. S’kam ç’bëj i thotë akrepi, është në natyrën time. Kryetari i 297 i partisë 297 politike shqiptare në formë veture personale”, e mbylli reagimin kryeministri.

Në videon më poshtë mund të ndiqni pjesët më kryesore të replikave mes tyre sot në Kuvend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat