Si ua shpëtoi KQZ mandatet deputetit Gaçe, kryebashkiakëve Zotkaj dhe peçi

Shqipëria

Si ua shpëtoi KQZ mandatet deputetit Gaçe, kryebashkiakëve Zotkaj dhe peçi

Më: 24 mars 2017 Në ora: 07:56
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje të shpëtojë mandatin e kryebashkiakëve Tërmet Peçi dhe Adri atik Zotkaj, edhe pse këta të fundit kanë pasur probleme me drejtësinë dhe se kishin dorëzuar formularët me korrigjime në një fazë të dytë. Në këtë mënyrë KQZ bëri të pavlefshme kërkesën e Prokurorisë për heqjen e mandatit të tyre me arsyetimin se nuk kishin deklaruar disa dënime me gjobë. Po ashtu, KQZ dje futi në “sitë” dhe deklarimet për dekriminalizimin për 13 deputetë dhe 6 kryebashkiakë.

Dosja e Zotajt dhe Peçit

Prokuroria e Përgjithshme ditë më parë njoftoi, se kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi dhe Kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, në bazë të ligjit për Dekriminalizimin. “Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar se subjektit Tërmet Peçi i duhet ndërprerë mandati i kryetarit të Bashkisë, pasi rezulton se në formularin e parë të përcjellë për verifikim nga ana e Sektorit është konstatuar se nuk është pasqyruar asnjë e dhënë në lidhje me vendime penale. Ndërkohë sipas prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër ka vënë në dispozicion vendimin penal të formës së prerë, nr. 21, datë 27.04.2004, në emër të z. Tërmet Peçi, i cili është i dënuar për veprën penale të “Përdorimit të dokumentave të falsifikuar”. Peçi nuk e ka deklaruar këtë vendim gjyqësor të formës së prerë, edhe pse ka pasur detyrimin ligjor për ta pasqyruar në pyetjen 1 të formularit të vetëdeklarimit. Po ashtu Sektori i “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar se dhe Adriatik Zotkajt i duhet ndërprerë mandati i kryetarit të Bashkisë, pasi bë formularin e parë të përcjellë për verifikim, nga ana e Sektorit është konstatuar se subjekti ka deklaruar, një vendim penal të formës së prerë të Gjykatës së Rrethit Korçë, për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” ku është dënuar me 3 jetë burg, një vendim të Gjykatës së Rrethit Skrapar për “Kundërshtimin e punonjësve të policisë së rendit publik”, dënuar me 10 muaj burg, dhe një vendim të Gjykatës së Rrethit Tiranë, dënuar me 1 vit burgim. Sa i përket deputetit socialist Artan Gaçe prokuroria kërkoi hetime të mëtejshme, duke i marrë dhe shenjat e gishtave. Në formularin e parë ai nuk kishte deklaruar një vendim të Gjykatës së parë dhe asaj të Durrësit, ku iu vendos dënimi penal dhe ai me gjobë. Po ashtu nuk u saktësua se ky vendim u shfuqizua nga Gjykata e Lartë e cila i ka dhënë pafajësinë. Këto të dhëna ai i deklaroi në formularin e dytë. 

Diskutimet

Gjatë mbledhjes për riverifikimin e formularëve të vetëdeklarimit për 21 zyrtarë, 13 deputetë dhe 8 kryetarë bashkish ka pasur diskutimeve, ku 3 prej anëtarëve të propozuar nga opozita kanë lënë mbledhjen. Bëhet fjalë për Hysen Osmanajn, Klement Zgurin si dhe Vera Shtjefnin. Në fjalën e tij Osmanaj theksoi se ishin përzierë krimet penale me gabimet e gjendjes civile. Më i ashpër ka qenë reagim i Shtjefnit, e cila tha se dekriminalizimi kishte marrë goditje të rëndë. Sakaq, Zguri theksoi se ky gjykim ishte politik, pasi KQZ kishte thirrur njerëz që nuk kishte arsye të ishin në ato lista. Ndërkohë, kreu i KQZ-së, Denar Biba tha se fakti që janë bashkuar listat nuk do të thoshte se ishte e njëjta situatë. “Gabimet në formular, mund të humbësh mandatin. Nuk kanë plotësuar saktë formularin sipas prokurorisë. Për ne e kanë plotësuar saktë formularin. Mirë do ishte që formulari të hartohej ndryshe”, tha Biba. 

Listat

Në listë ishin edhe deputetët Berisha, Ristani, Braho, por edhe disa kryebashkiakë. Tre anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësues të opozitës kundërshtuan që në fillim duke kërkuar që Komisioni të diskutonte dhe vendoste vetëm për dy kryebashkiakët që kërkoi Prokuroria. Por katër anëtarët e tjerë, përfaqësues të shumicës vendosën të diskutojnë hapur të gjitha shkeljet që kishin bërë deputetët dhe kryebashkiakët, të cilat kishin të bënin me të dhëna të pasakta, që nga ndryshimet e emrave e deri te gjobat. Tre anëtarët e opozitës braktisën mbledhjen, ndërsa pas 30 minuta diskutim të mbyllur, katër anëtarë e KQZ-së votuan kundër heqjes së mandatit për të gjithë emrat e listës. Ndër emrat e listuar nga KQZ janë deputetët Sali Berisha, Arben Ristani, Eduard Halimi, Florian Mima, Myqerem Tafaj, Spartak Braho, Vangjel Dule, etj; të cilët kanë deklaruar të dhëna në formularin e dekriminalizimit, jashtë afateve të parashikuara në ligj. Krahas deputetëve të mësipërm në listë janë dhe 8 kryetarë bashkish: Artur Bardhi, Edmond Themelko, Ndrec Dedaj, Rajmonda Balilaj, Adel Lala, Zef Hila, si dhe dy kryebashkiakët Tërmet Peçi dhe Adriatik Zotkaj. Për dy të fundit prokuroria ka kërkuar ndërprerjen e mandatit, pasi nuk kanë deklaruar dënime të marra më parë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat