KLD rrëzon kërkesat për procedim disiplinor ndaj tre gjyqtarëve

Shqipëria

KLD rrëzon kërkesat për procedim disiplinor ndaj tre gjyqtarëve

Më: 24 mars 2017 Në ora: 14:21
Këshilli i Lartë i Drejtësisë

Këshilli i Lartë i Drejtësisë në mbledhjen e sotme vendosi rrëzimin e kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë për procedimin disiplinor për 3 gjyqtarë të gjykatave të Tiranës, Durrësit dhe Vlorës.

Sipas njoftimit për shtyp të KLD-së, në përputhje me përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi kërkesat e ministrisë së Drejtësisë për procedimin disiplinor të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, L.S., gjyqtares J.Q, kryetare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, si dhe gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, A.B.

Pasi u dëgjuan sqarimet e gjyqtarëve dhe pas diskutimeve mes anëtarëve, Këshilli vendosi rrëzimin e kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë për të tre gjyqtarët.

KLD shqyrtoi edhe projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”.

KLD miratoi edhe aktet e vlerësimit për 10 gjyqtarë, të cilët janë : Gjyqtar Metush Saraçi, Gjykata e Apelit Tiranë; Gjyqtare Fahrije Stringa Budo, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë; Gjyqtar Zamir Poda, Gjykata e Apelit Tiranë; Gjyqtare Shefkie Mataj Demiraj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë; Gjyqtar Erarbër Madhi, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë; Gjyqtare Flutura Skënderi, Gjykata e Apelit Tiranë; Gjyqtare Edlira Petri, Gjykata e Apelit Tiranë; Gjyqtar Arben Micko, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë; Gjyqtare Saida Dollani, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda; Gjyqtare Brunilda Kasmi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë..

Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat