Enkel Joti emërohet drejtori i ri i QSUT-së

Shqipëria

Enkel Joti emërohet drejtori i ri i QSUT-së

Më: 27 mars 2017 Në ora: 15:22
Ministrja Manastirliu prezantoi drejtorin e QSUT-së Enkel Jotin

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu prezantoi sot Enkel Jotin si drejtorin e ri të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Burime pranë ministrisë së shëndetësisë konfirmuan për ATSH-në emërimin e tij.

Ky i fundit zëvendëson Ogerta Manastirliun, e cila para pak ditësh mori drejtimin e ministrisë së Shëndetësisë.

Enkel Joti i cili ka mbaruar studimet për Ekonomik ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Top Media dhe kohët e fundit ka pasur detyrën e nëndrejtorit të Përgjithshëm të TVSH.

Manastirliu gjatë prezantimit të Jotit theksoi se, drejtuesi i ri i QSUT do të jetë një menaxhues i mirë i punës në këtë qendrën spitalore më të madhe në vend. “Kam besim tek ai”, tha Manastirliu.

Në fjalën e saj, Manastirliu, vlerësoi figurën e Jotit si një menaxher me shumë eksperiencë.  Ministrja u shpreh e sigurt se, Joti do të vërë me sukses në zbatim, projektet e nisura, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së shërbimit, në qendrën më të madhe spitalore në Shqipëri.

“Jam e sigurt se Joti, në krye të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, do të çojë përpara të gjithë ato projekte zhvillimi që janë nisur tashmë, por edhe të tjerë që do të nisim në të ardhmen e afërt. Jam e bindur se në një bashkëpunim të ngushtë me Shefat e Shërbimeve, të gjithë stafin mjekësor e infermieror të QSUT-së, si edhe stafin mbështetës, Joti do të punojë për ta zhvilluar më tej Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza””, u shpreh Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë shprehu falënderimet për të gjithë personelin shëndetësor të QSUT-së për bashkëpunimin dhe rezultatet e arritura, gjatë tre viteve e gjysmë, që ajo ishte në drejtimin e këtij institucioni.

“Më vjen mirë që, në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm, vjen një njeri me aftësi të shkëlqyera menaxheriale. Ndërkohë, gjej rastin si Ministër i Shëndetësisë, por edhe në cilësinë e ish-Drejtorit të Përgjithshëm, t’ju falënderoj përzemërsisht për të gjithë mbështetjen tuaj, si dhe bashkëpunimin e ngushtë gjatë këtyre tre viteve e gjysmë. E di mirë, se pa këtë mbështetje dhe bashkëpunim, nuk do kishim arritur të realizonim ato projekte që së bashku i vumë në zbatim, në funksion të përmirësimit të cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve, por dhe në funksion të zhvillimit të Qendrës më të madhe Universitare në vend”, theksoi Manastirliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat