31 Marsi, afati i fundit i dorëzimit të bilanceve dhe taksave nga bizneset

Shqipëria

31 Marsi, afati i fundit i dorëzimit të bilanceve dhe taksave nga bizneset

Më: 28 mars 2017 Në ora: 08:02
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

Data 31 mars është afati i fundit i dorëzimit të formularit të Deklarimit të Tatimit mbi Fitimin për vitin 2016. 

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u ka tërhequr vëmendjen tatimpaguesve që të jenë të kujdesshëm në përmbushjen e këtij detyrimi.

“Dorëzimi i formularit dhe pagesa përfundimtare e këtij detyrimi domosdoshmërish duhen kryer brenda datës 31 mars 2017. Gjithashtu, ju kujtojmë që afati i fundit i pagesës së këstit paraprak të Tatimit mbi Fitimin për tremujorin e parë të vitit fiskal 2017 është data 30 mars 2017″, thuhet në njoftimin e DPT-së.

Tatimpaguesi është i detyruar të dorëzojë brenda datës 31 mars të vitit 2017, formularin e Deklarimit të Tatimit mbi Fitimin sipas modelit të miratuar me udhëzim. Po kështu, ai dorëzon vetëm elektronikisht në administratën tatimore brenda datës 31 mars të vitit 2017 bilancin kontabël sëbashku me anekset: bilanci (aktivet, pasivet dhe kapitali); pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve; pasqyra e ndryshimeve në kapital, pasqyra e fluksit të parasë ose pasqyra e qarkullimit të likuiditeteve; aneksi për shpjegimet shpjeguese; raporti i ekspertit të autorizuar të shoqërisë.

Dokumentacioni shtesë i kërkuar në bazë të ligjit “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i cili do të dorëzohet elektronikisht së bashku me pasqyrat financiare ka të bëjë me kontratat e qirasë për ambientet e marra me qira, apo vërtetimin e pronësisë për objektet në pronësi; gjendjen e inventarit të mallrave për shitje më datë 31.12.2016 (analitik); inventarin e mjeteve të transportit në pronësi.

Njëkohësisht, duhet të dorëzohen edhe pasqyrat financiare (të aktivit, pasivit e kapitalit), të ardhura dhe shpenzime, ndryshime në kapital, qarkullimi i likuiditeteve, aktivet afatgjata materiale, që të dorëzohen elektronikisht në version pdf (të skanuara) dhe Excel.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat