Ruçi porosit deputetët: Jo më debat me LSI

Shqipëria

Ruçi porosit deputetët: Jo më debat me LSI

Më: 28 mars 2017 Në ora: 08:47
Edi Rama dhe Ilir Meta

Partia Socialiste është e shqetësuar nga polemikat që hap aleatja e saj, Lëvizja Socialiste për Integrim në prag të nisjes zyrtare të fushatës elektorale. Përgjatë tre javëve të fundit, deputetë të LSI-së kanë sulmuar jo pak eksponentë socialistë të qeverisë, duke u adresuar atyre dështime me reformat dhe premtimet. LSI-ja ka kritikuar ashpër ministren e Arsimit, Lindita Nikollën për reformën në arsimin e lartë dhe formulën e pranimit të studentëve të universitete.

Por kritika ka pasur edhe për infrastrukturën, për investimet në bujqësi, për ujësjellësit etj. Pikërisht këto kritika janë kthyer në shqetësim për Partinë Socialiste, duke u kthyer në temën kryesore të mbledhjen e grupit parlamentar socialist, që mblidhet çdo të hënë. Mbledhja e djeshme e grupit parlamentar të PS-së u drejtua nga Gramoz Ruçi, në mungesë të kryeministrit Edi Rama, i cili është nisur për një vizitë në Francë. Burime nga grupi parlamentar i PS-së kanë thënë për “Shekullin” se Ruçi u ka kërkuar deputetëve që në asnjë mënyrë të mos përfshihen në debat me deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët kanë kritikuar qeverinë në çdo dalje mediatike dhe në çdo takim elektoral.

Porositë për deputetët Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi i ka porositur deputetët që të mos replikojnë për kritikat e deputetëve të LSI-së. Burime nga grupi parlamentar i PS-së kanë bërë të ditur për gazetën se, Ruçi u ka kërkuar deputetëve që të jenë indiferentë lidhur me kritikat e vazhdueshme të LSI-së në prag të nisjes zyrtare të fushatës. Ai është shprehur se LSI-ja është një aleat strategjik, pra që bën të mundur votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Siç kanë thënë burimet, ai ka shtuar se do të jenë qytetarët ata që kanë gjykuar për reformat e ndërmarra deri më tani, ndaj debati, sipas tij, duhet anashkaluar.

“Mos u përfshini në debat me LSI-në. Ne duhet të jemi të qartë. Koalicioni me LSI është strategjik. Populli do na e japë votën”, është mësuar t’u ketë thënë Ruçi deputetëve. Një porosi e ngjashme ka dhënë më parë edhe kryesocialisti Edi Rama. Ndërkaq, burimet kanë saktësuar se Ruçi nuk është shprehur për deklaratat e bëra nga përfaqësues të lartë të LSI-së lidhur me mospjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje.

Deputetë të LSI-së kanë deklaruar se zgjedhje pa opozitën janë farsë dhe duhet të vendoset dialogu për zgjidhjen e bllokuar. Ligjet me 84 vota Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi është përfshirë në një debat me deputeten dhe kryetaren e  Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi për projektligjin e Ministrisë së Drejtësisë, i cili është shoqëruar me kundërshti nga kreu i këtij institucioni, Petrit Vasili.

Kryekomisionerja, e cila njëherësh ka qenë relatorja e draftit për Ministrinë e Drejtësisë, i ka bërë të ditur Ruçit se ka kundërshti për projektligjin dhe se ka debatuar me Vasilin në një mbledhje të komisionit. Ruçi i ka kërkuar Hysit t’i zgjidhë mosmarrëveshjet për pikat e kontestuar dhe deri të enjten projektligjet të jenë të aprovuara edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. “Zgjidhni problematikën që keni me LSI-në për ligjet me 84 vota, zgjidhini mosmarrëveshjet para seancës parlamentare”, u ka thënë Ruçi deputetëve, thanë burimet. Po ashtu Ruçi ka porositur deputetët që të jenë të gjithë në Parlament ditën e enjte, pasi duhet të miratohen dy projektligje të rëndësishme që nuk miratohen me më pak se 84 vota.

Ai u ka dhënë urdhër deputetëve socialistë që të ndërpresin çdo udhëtim jashtë vendit dhe të jenë në Kuvend ditën e enjte. “Askush të mos programojë asnjë udhëtim jashtë vendit të enjten, të gjithë të jeni në sallë për të mos rrezikuar votat. Të mos na ndodhë si me votimin e ministrin Klosi, ku u detyruam ta kthenim mbrapsht”, ka shtuar Ruçi.

Deputetja Hysi, në një mbledhje dy javë më parë, ka debatuar për më shumë se dy orë me ministrin e Drejtësisë, Petrit Vasili, i cili u shpreh i shqetësuar për heqjen e shumë kompetencave në ligjin e rij për këtë institucion. Vasili ka bërë tre propozime, që pavarësisht se kanë kaluar dy javë nga prezantimi i tyre në Komisionin e Ligjeve, ende nuk janë marrë në shqyrtim. Ndërkaq, prej disa seancash maxhoranca gjendet në vështirësi për numra në Parlament, duke pamundësuar votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar votash. Veç deputetëve të LSI-së prej muajit janar është duke i braktisur votimet edhe aleati tjetër i Ramës, PDIU-ja e Shpëtim Idrizit. Kreu i PDIU-së ka kërkuar numës në komisione, ndërsa ka kufizuar votën për ligjet me mosmiratimin e ngritjes së një komisioni hetimor për çështjen çame. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat