Panariti-Çelik: Forcim të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë

Shqipëria

Panariti-Çelik: Forcim të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë

Më: 28 mars 2017 Në ora: 15:16
Panariti dhe Çelik marrin pjesë në Forumi i Agrobiznesit Shqipëri-Turqi

Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe ministri turk i Bujqësisë, Ushqimit dhe Blegtorisë, Faruk Çelik marrin pjesë në Forumi i Agrobiznesit Shqipëri-Turqi, që u mbajt në Tiranë 

Forumi i Agrobiznesit Shqipëri-Turqi, zhvilloi punimet të martën në Tiranë, me pjesëmarrjen e ministrit të Bujqësisë Edmond Panariti dhe atij turk të Bujqësisë, Ushqimit dhe Blegtorisë, Faruk Çelik .

Të pranishëm në aktivitet të rëndësishëm ishin zyrtarë të lartë të dy vendeve, përfaqësues të 49 kompanive turke që aktivitetin e tyre e kanë të lidhur me bujqësinë, agroturizmin, përpunimin e produkteve bujqësore si dhe sipërmarrës potencial të këtij sektori nga zona të ndryshme të Shqipërisë.

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti, u shpreh se ky forum do t’i japë një shtysë të mëtejshme marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë.

“Detyra jonë si politikanë është të shfrytëzojmë këtë klimë të përshtatshme miqësore mes dy vendeve për të rritur marrëdhëniet tona tregtare. Duhet të dimë që ne kemi një komunitet të mirë në Turqi të cilët kanë ndikuar pozitivisht për marrëdhëniet mes dy vendeve, ashtu sikurse kanë ndikuar figura tona kombëtare në këto marrëdhënie në të kaluarën”, tha Panariti.

Ai shtoi se sfida e përbashkët mbetet çuarja përpara e marrëdhënieve të bashkëpunimit të frytshëm në fushën e bujqësisë.

Kreu i Bujqësisë shqiptare, vuri  theksin në aspiratën e Shqipërisë për tu integruar në Bashkimin Evropian, por njëkohësisht nënvizoi Panariti, dhe forcimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit me vendet fqinje dhe veçanërisht me Turqinë, janë shumë të rëndësishme, tha ai.

Panariti e cilësoi Forumi i Agrobiznesit Shqipëri-Turqi, shumë të rëndësishëm për pjesëmarrjen e gjerë, që sipas tij, do të jetë shumë i suksesshëm. Ministri Panariti falënderoi Turqinë për ndihmën e dhënë gjatë përmbytjeve dhe shprehu mbështetjen për forcimin e bashkëpunimit.

Ndërsa ministri Çelik duke marrë fjalën, shprehu falënderime për mikpritjen dhe tha se, është i lumtur që ndodhet në një forum të tillë.

“Marrëdhëniet e mira mes dy vendeve i kanë rrënjët të hershme dhe në shumë fusha”-tha ai.

Ndërsa duke folur për investimet e Turqisë në shumë fusha në Shqipëri, Çelik u ndal edhe tek ndërtimi i xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, për të cilën u shpreh se, kjo vepër madhështore dhe ajo e Sulltanahmetit në Stamboll do të jenë një simbol dhe urë lidhëse dhe shenjë miqësie mes dy vendeve.

“Gjatë vizitës së Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani në Ankara më 21 dhjetor 2016, Presidenti jonë Recep Tayyip Erdogan, më ngarkoi me punë për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e bujqësisë. Ndërkohë ekipet tona të ekspertëve janë takuar ditën e djeshme dhe kanë nxjerrë në pah një plan masash veprimi. Edhe gjatë ditës së sotme unë me homologun tim do të bisedojmë rreth këtyre çështjeve. Presidenti jonë na ka vënë një plan për të rritur shkëmbimet tregtare mes dy vendeve në 1 miliardë dollarë”, ka thënë Çelik. Ai më pas duke folur për shkëmbimet aktuale tregtare ka thënë se vetëm 11 për qind e shkëmbimeve tregtare që kapin vlerën e 326 milionë dollarëve janë në fushën e bujqësisë.

[Shqiperi-Turqi-Forumi i Agrobiznesit Foto Agim Dobi] Çelik tha se duke u mbështetur në përvojën dhe mundësitë e dy vendeve, beson se bashkëpunimi në fushën e bujqësisë do të rritet ndjeshëm dhe se vetë ai do të ndjekë këtë çështje. Ai theksoi gjithashtu se duke parë shifrat e tregtisë së dy vendeve duket që marrëdhënia mes Turqisë dhe Shqipërisë është e ulët dhe për këtë, sipas tij, dy vendet duhet të punojnë më shumë.

Kreu i Bujqësisë turke bëri një panoramë të zhvillimet në fushën e bujqësisë në Turqi, duke nënvizuar faktin se, në saje të reformave dhe stabilitetit kohët e fundit në Turqi, vendi i tij është bërë fuqia më e madhe bujqësore në Evropë. Në vijim ai ka shtuar se është i bindur që dy vendet do të rrisin bashkëpunimin në këtë fushë.

Çelik tha se Turqia organizon muajin e ardhshëm Forumin e Agrobiznesit në Antlaya me pjesëmarrjen e 54 ministrave të bujqësisë nga vendet e Afrikës.

“Turqia është një vend i qëndrueshëm. Me prodhimet tona ne nuk ushqejmë vetëm 80 milionë qytetarë të Turqisë. Njëkohësisht ushqejmë më shumë se 3 milionë refugjatë dhe miliona turistë të ardhur në vendin tonë dhe për këtë jemi të gëzuar. Këtë gjë ne e bëjmë duke u bazuar në kulturën dhe traditën e të kaluarës së Turqisë. Bazuar në këtë ne ndajmë bukën dhe çdo gjë tjetër të mirë materiale veçanërisht me ata që u bëhet padrejtësi. Ndërkohë që disa vende të Evropës i kanë mbyllur dyert për refugjatët, shohim që kanë hapur ato për terroristët. Ne këtë nuk po arrijmë ta kuptojmë”, ka shtuar më pas ministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat