LSI bashkon votat me PD për...

Shqipëria

LSI bashkon votat me PD për...

Më: 3 prill 2017 Në ora: 23:35
Bashkia e Durresit

LSI-ja ka bashkuar votat me PD-në në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Durrësit për të hedhur poshtë kërkesën e Ujësjellës Kanalizimeve për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm në masën 20 përqind në Durrës.

Kjo kërkesë u konsiderua e tepërt për xhepat e konsumatorëve, ndërkohë që qyteti dhe fshatrat përballen me një situatë të rënduar të furnizimit me ujë të pijshëm.

Mbledhja u karakterizua nga debate të forta, të cilat nuk kanë lënë jashtë vëmendjes zhvillimet në sheshin publik “Veliera” dhe punimet e paligjshme të kryera në zonën arkeologjike A. 

Në përgjigje të kundërshtimeve të bëra nga këshilltarët demokratë, Vangjush Dako tha se gjetjet e reja mund të jenë befasuese në dëshmitë që sjellin.

“Shërbimi Arkeologjik i kërkoi Bashkisë fonde për punonjësit e vet që po merren me gërrmimet. Nga gërrmimet e bëra në dy vende, rezulton se pika e Torrës me atë të godinës “Fly” nuk bashkohen, po krijojnë një devijim, i cili mund të vejë në dyshim dhe vetë periudhën së cilës i përket Torra Veneciane, që mund të jetë e një periudhe më të vonë, asaj otomane, po saktësimi i saj do të bëhet nga arkeologët”, tha Dakoi.

Po për Armand Telitin, kreun e grupit të këshilltarëve demokratë organi i akuzës duhet të veprojë duke çuar para ligjit kryetarin e bashkisë dhe të gjithë përgjegjësit e një krimi që cenon hapur trashëgiminë arkeologjike dhe kulturore të qytetit.

“I bëj thirrje Prokurorisë të kryejë detyrën dhe t’i japë hakun që i takon kryetarit të bashkisë dhe kush është përgjegjës për këtë krim që po ndodh në dritë të diellit”, deklaroi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat