Opozita shton kushtet, Baze: PS të ulet me PD, shmang LSI-në

Shqipëria

Opozita shton kushtet, Baze: PS të ulet me PD, shmang LSI-në

Më: 4 prill 2017 Në ora: 19:28
Lulzim Basha dhe Ilir Meta

Pas takimit të Lulzim Bashës me aleatët, koalicioni opozitar ka dalë me një deklaratë të përbashkët në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend.

“Koalicioni Opozitar konfirmoi sot se rruga e vetme e daljes nga kriza është krijimi i qeverisë teknike, me mbështetje të gjerë politike, që do të punojë për të realizuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.

Duke përshendetur hapin e hedhur mbrëmë nga LSI për tu bërë pjesë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike në vend, Koalicioni Opozitar rikonfirmon gatishmërinë për nisjen e dialogut politik për qeverinë teknike dhe fton Edi Ramën të heqë dorë nga kushtet dhe të vendosë interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë para interesave personale të pushtetit të tij.

Koalicioni Opozitar shpreh gatishmërinë e plotë për të punuar me të gjitha forcat politike pa asnjë paragjykim, për krijimin e qeverisë teknike, duke i dhënë asaj një mandat të fortë për:

1-Zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit.

2-Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës.

3-Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

4-Zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut.

Kjo është e vetmja garanci për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme ku shqiptarët të votojnë lirisht, të zgjedhin lirisht dhe vota e tyre të mos tjetërsohet,” thuhet në deklaratë.

Qëndrimi i fundit i Ilir Metës, për një Qeveri Besimi dhe kundër zgjedhjeve pa opozitën, është komentuar nga gazetari Mero Baze në një editorial të dytë në gazetën TemA.

Baze nënvizon disa gënjeshtra, siç i cilëson ai, që janë ngritur rreth krizës politike në vend, krizë që sipas Bazes lidhet me vetingun dhe jo me zgjedhjet e lira.

Por më shumë se sa qëndrimet e opozitës, për të cilat Baze ka shkruar vazhdimisht, ai këtë herë ka qenë i ashpër me LSI, të cilës i ka kërkuar të dalë nga qeveria.

“Me aktin e fundit të LSI, që “ofron” postet e saj për opozitën me qëllim që të quhet kontributore në zgjidhjen e krizës, kemi një poshtërim të qeverisë nga LSI.

Poshtërimi vjen pikësëpari nga koncepti që ato mandatet janë kapital i LSi me të cilat mund të bëj “klering”, për hir të demokracisë. Por mbi të gjitha poshtërimi vjen nga gënjeshtra që është montuar, se PD ka nevojë të jetë në qeveri që t’i ikë frika nga zgjedhjet.

Për ta ç’montuar këtë gënjeshtër, LSI duhet të dalë nga qeveria dhe ta rrëzojë Edi Ramën… Nëse nuk e bën LSI, këtë duhet ta bëjë Edi Rama. Gënjeshtra që LSI po ndihmon në zgjidhjen e krizës, duke ofruar për demokracinë “kullotat” e Terit, “Shafranin” e Panaritit, etj, është vulgarizim i politikës dhe konceptimi i saj, si pazar i gjësë së gjallë”, shkruan Baze.

Ai shkon më tej kur edhe koalicionin PS- LSI e quan një tjetër gënjeshtër, të cilën po e përdor LSI për të shndërruar në seksere të krizës.

“Gënjeshtra e tretë është aleanca LSI- PS, për zgjedhje dhe aleanca LSI- PD për qeveri teknike. Dhe kjo gënjeshtër duhet çmontuar.

Aleanca LSI-PS është e panevojshme, e padobishme dhe pakuptueshme, nëse kushtëzohet nga oferta e PD. Kjo është një gënjeshtër që e kthen LSI në seksere të krizës politike. PS duhet të zgjedhë të ketë ose aleate LSI, ose partnere në bisedime PD. Nëse LSI do të qëndrojë me PS duhet të qëndrojë me PS dhe opsionet e saj për krizën.

Në të kundërt, PS mund të ulet të bisedojë me PD për krizën dhe s’ka nevojë të llogarisë se çdo bëhet me LSI për koaliconin e zgjedhjeve”, thotë Baze duke lëshuar kështu një mesazh të fortë që nënkupton shmangien e LSI si faktor politik negociator për krizën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat