Vendimi i opozitës për të bllokuar me protesta zgjedhjet në Kavajë

Shqipëria

Vendimi i opozitës për të bllokuar me protesta zgjedhjet në Kavajë

Më: 11 prill 2017 Në ora: 09:25
Lulzim Basha

Ditën që Partisë Socialiste zyrtarizoi kandidaturën e Klodian Shehit për zgjedhjet e pjesshme që do të zhvillohen për kreun e bashkisë së Kavajës, opozita paralajmëroi se me 7 maj do të organizojë një protestë mbarëpopullore për të pamundësuar procesin zgjedhor. Vendimi u morr dje nga kreu demokrat Lulzim Basha dhe krerët e partive aleate. “Koalicioni opozitar i mbledhur, konfirmon qëndrimin për mosregjistrim në KQZ deri në arritjen e një pakti politik për krijimin e qeverisë teknike që të do sigurojë zgjedhje të lira, dhe koalicioni opozitar vendosi mbajtjen e një proteste të madhe kombëtare me 7 maj në Kavajë”, thuhej në deklaratën e lëshuar pas mbledhjes së PD-së me aleatët. Kjo deklaratë dhe ky vendim vjen në kohën kur po skadon afati për t’u regjistruar në KQZ për zgjedhjet e 18 qershorit. “S’do regjistrohemi në zgjedhje pa qeveri teknike”, është vendimi i qartë i opozitës, teksa pritet edhe reagimi i mazhorancës pas këtij vendimi. Kjo pasi kryeministri Rama e ka bërë të qartë që nuk është pro një qeverie teknike, apo edhe besimi që ka kërkuar aleati i tij Ilir Meta. Por ky i fundit, si kreu i LSI, ka thënë se nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën.

Thirrja 

Ndërkohë pasdite, kreu i PD-së, Lulzim Basha foli nga çadra e lirisë bashkë me 27 kryetarë partish që i janë bashkuar koalicionit opozitar. Basha shtriu dorën e dialogut edhe dje për kryeministrin Rama, me qëllim sipas tij për t’i dhënë fund krizës politike. “Duam dialog. Tash 5 ditë presim dhe dora e shtrirë për një dialog paqësor dhe konstruktiv pa kushte refuzohet nga ai që është mësuar t’i flasë popullit të vet me monologë që s’japin zgjidhje. Por kurrë nuk është vonë. Edhe sot nga ky shesh dora për dialog mbetet e shtrirë për t’i dhënë fund krizës. Por ne nuk tërhiqemi nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe nga qeveria teknike”, tha Basha. Ai më tej falënderoi edhe partitë që nuk janë në koalicion me PD-në por që duan zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe qeveri teknike. “Falënderojmë me mirënjohje të thellë, të gjitha ato parti që s’janë pjesë e koalicionit tonë por që mbështesin kauzën tonë. Faleminderit dhe mirënjohje të thellë për ju që na mbështesni në kauzën tonë, gjithmonë nëse jeni të sinqertë”, ishte mesazhi i Bashës drejtuar LSI-së, që së fundmi është shprehur për qeveri besimi. Basha deklaroi se jemi në prag të muzgut të Republikës së Vjetër siç e cilëson ai, duke shtuar se përbetimi i ndërmarrë është përtej partive politike. “Jemi përballur me shantazhe, me fyerje, me gjuhën e drunjtë të një njeriu të pashpirt. Jemi përgjigjur ditëpërditë me të vetmen monedhë që njohin shqiptarët evropianë; qëndresën demokratike për të mos i lëshuar asnjë kolonë krimit me mbështetje qeveritare. Muzgu i Republikës së Vjetër po bie, agimi i Republikës së Re po lind. Jemi të gjithë bashkë dhe kemi marrë një përbetim që tejkalon kufijtë e çdo partie politike, është i madh dhe fisnik sa vet atdheu ynë. Ne nuk e kërkuam këtë betejë, por na e dhanë ata që menduan se një popull i tërë mund të shkelet me këmbë, mund të mashtrohet dhe mund t’i mbyllet goja me zgjedhje të diktuara nga krimi, që është vjedhja e të drejtës sovrane të një populli të lirë. Ne erdhëm në këtë betejë me një synim që përmes një lëvizje paqësore që të bashkojmë shqiptarët në rrugën e lirisë së vërtetë; sot me gojën plot i shoh këtu të djathtë dhe të majtë të bashkuar deri në arritjen e fitores që na pret”, tha ai.

Kriza

Ndërsa data e zgjedhjeve të parashikuara të mbahen më 18 qershor është duke u afruar me shpejtësi, opozita ka artikuluar shtyrje të kësaj date të dekretuar nga Presidenti sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor. Nuk kanë munguar as zërat nga LSI-ja që janë pro këtij opsioni, por ende nuk mund të parashikohet vijueshmëria pas këmbënguljes së PS-së që pavarësisht çdo kërkese zgjedhjet të mbahen më 18 qershor. Akoma më e paqartë është situata në një kohë që kryeministri, Edi Rama por edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha duket se “dialogun” e kanë vetëm një fjalë goje. Tentativat për takimin Rama-Basha dukeshin serioze në fillim të javës së kaluar, por ndërsa pritej finalizimi, çdo gjë u shua dhe më pas nuk u përmend më.

Preç Zogaj: Basha po kap demin për brirësh

Publicisti dhe shkrimtari Preç Zogaj gjatë fjalës që mbajti përpara në çadrën e lirisë në Bulevardin përpara kryeministrit e konsideruar kauzën e opozitës të drejtë. Ai nënvizoi më tej se të gjithë ndihen të rrezikuar dhe të provokuar nga krimi dhe kanabizimi i vendit. “Njerëzit e letrave dhe vetë letërisa janë të mundur, të sfiduar kur sundon krimi ose kur krimi ngrihet në pushtet, kur krimi merr timonin, janë të sfiduar kur vendin e pushton kanabizimi”, tha ai. Arsye se pse po mbështesim kauzën e opozitë është kjo, sepse ne të gjithë ndihemi të provokuar dhe të papajtueshëm, të vendosur për të bërë gjithçka me penë që Shqipëria të dalë nga ky qorrsokak. “Është hera e parë që një opozitë dhe një lider opozite si Basha kërkon ta kapë demin për brirësh dhe demi kapet për brirësh duke filluar nga zgjedhjet. Të tjerat janë pasoja. Çfarë do ishte sot Shqipëria nëse kjo opozitë nuk do ngrihej kundër kriminalizimit. Çfarë do të ndodhte nëse opozita e sotme të mos ngrihej kundër kanalizimit”, u shpreh Zogaj.

Regjistrimi i partive, nënkryetari i KQZ, Osmani: 10 prilli afati i fundit

Dy ditë më parë, kreu i KQZ -së Denar Biba u shpreh pro shtyrjes së datës së regjistrimit të partive politike deri në 19 Prill, propozim ky që solli reagimin e ashpër të opozitës por dhe të specialistëve. Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Hysen Osmanaj, ka deklaruar se afati i përcaktuar në Kodin Zgjedhor për regjistrimin e partive politike, nuk mund të shtyhet me vendim të KQZ. Ai nënvizoi se tre anëtarët e zgjedhur nga opozita u qëndrojnë përcaktimeve ligjore në Kodin Elektoral, sipas të cilit partitë duhet të regjistrohen në zgjedhje jo më vonë se data 10 prill shkruan panorama. Shtyrja e afatit të përcaktuar në Kod, sipas nënëkryetarit të KQZ-së mund të bëhet vetëm me marrëveshje politike dhe me ndryshime ligjore. “Ne do të mbajmë qëndrim ligjor sipas Kodit Zgjedhor. Absolutisht nuk kemi asnjë qëndrim tjetër. Në qoftë se ka ndonjë marrëveshje politike, apo ndonjë amendament të Kodit Zgjedhor, dakord, por ne mbetemi vetëm në  zbatim të Kodit”, theksoi Hysen Osmanaj. Për nënkryetarin e KQZ, nuk mund të këtë vendime apo akte që të shtyjnë datën e regjistrimit në zgjedhje. “Për ne, 70 ditë para datës së zgjedhjeve, pra nesër (sot), përfundon afati i regjistrimit të partive politike. Ne si KQZ as nuk mund të nxjerrim asnjë akt që është mbi Kodin Zgjedhor dhe asnjë vendim, në qoftë se është specifikuar në Kod. Ne mund të nxjerrim akte kur mund të ketë ndonjë boshllëk ligjor për të specifikuar ndonjë nen të Kodit Zgjedhor, por absolutisht në kundërshtim me Kodin nuk mundemi, sepse nuk kemi kompetencë”, ka thënë ai. Duke folur për idenë e Denar Bibës për të shtyrë afatin deri më datë 29 prill, Hysen Osmanaj shprehet se anëtarët e KQZ nuk duhet të varen nga politika. “Ne nuk e kemi të drejtën as moralisht të varemi nga qëndrimet politike, qoftë të një force, qoftë një force tjetër për mendimin tim. Denar Biba ka një votë, unë kam një votë. Unë mendoj që duhet të zbatojmë Kodin Zgjedhor”, ka thënë ai. Sipas nënkryetari të KQZ­, zgjedhjet pa opozitën nuk mund të bëhen, pasi ato do të quheshin si farsë. Hysen Osmanaj tha se këtë qëndrim e kishte mbajtur dhe në takime me përfaqësuesit ndërkombëtarë. “Zgjedhjet pa opozitën nuk mund të bëhen fare sepse kalojmë në monizëm pastaj. Ne si KQZ jemi për të bërë zgjedhjet dhe për t’i menaxhuar ato. Por zgjedhjet po nuk patën elektoratin që voton, nuk kanë kuptim. Në qoftë se gjysma e elektoratit nuk merr pjesë në zgjedhje, atëherë unë mendoj që jemi në zgjedhje farsë. Këtë qëndrim e kam shprehur edhe në takim me ndërkombëtarët dhe me OSBE­. Unë nuk mund ta imagjinoj që ne mund të realizojmë dhe menaxhojmë zgjedhjet e vetëm një krahu politik”, është shprehur ai. Dhe ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata thotë prerazi se data për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 18 Qershorit nuk mund të shtyhet përmes një vendimarrjeje të shumicës në këtë komision. Zgjidhja, thotë ai, mund të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje politike mes palëve. Gjata e fton kreun e KQZ-së të qëndrojë larg debatit politik dhe të mos shpikë shtyrje afatesh. Por sa legjitim është një proces elektoral në të cilin opozita refuzon të bëhet pjesë, ndërsa socialistët duken të vendosur për të qenë pjesë e garës. Teknikisht, thotë Gjata, procesi është i mundur, por pikëpyetjet do të ngrihen sipas ish-kreut të KQZ-së, mbi legjitimitetin e një parlamenti të dalë vetëm nga një forcë politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat