Ukraina dritë jeshile eksportit të produkteve shqiptare të mishit dhe qumështit

Shqipëria

Ukraina dritë jeshile eksportit të produkteve shqiptare të mishit dhe qumështit

Më: 17 prill 2017 Në ora: 12:29
Alban Zusi dhe Elvira Sevostianenko

Alban Zusi president i Qendrës së Eksporteve Shqiptare në një deklaratë për median bëri të ditur heqjen e të gjitha barrierave nga qeveria e Ukrainës, të cilat pengonin eksportin e produkteve shqiptare të mishit dhe qumështit.

"Më në fund të gjitha produktet shqiptare me origjinë shtazore, si mish, qumësht dhe nënproduktet e tyre (sallamëra, djathëra etj.) mund të eksportohen në një vend të huaj.

Konkretisht një treg i madh si Ukraina, i hap dritën jeshile importeve të produkteve të  mishit dhe bulmetit.

Që prej 27 vjetësh Shqipërinë edhe Shërbimi Shtetërore i Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Ukrainë, e rendiste Shqipërinë si vend, me rrezik nga sëmundje të ndryshme në kafshë dhe të prekur nga gripi shpendëve.

Me gjithë problematikat dhe defiçencat që vijojnë, është fakt që kryesisht në sajë të sipërmarrjes private Shqipëria, ka bërë progres të fortë në drejtim të zbatimit të sistemeve të përparuara të kontrollit të sigurisë dhe cilësisë ushqimore.

Kjo është një mundësi e shkëlqyer për prodhuesit, fermerët dhe eksportuesit shqiptarë, për tu takuar dhe lidhur kontrata të drejtpërdrejta  për eksport të produkteve drejt këtij tregu 42 milionësh.

Ndërkohë jemi në kontakt me autoritetet e institucionet qeveritare në vend për të realizuar marrëveshje dy palëshe teknike (model certifikatash etj.) si dhe për të intensifikuar përpjekjet për hapjen e tregjeve për eksport të produkteve tona blegtorale dhe jo vetëm në vende të tjera.", -tha ai.

Ndërsa Elvira Sevostianenko, presidente e Dhomës së Tregtisë të Doneskut e cila është njëkohësisht edhe sekretare e përgjithshme e Qendrës së Eksporteve Shqiptare deklaroi:

“Ne kemi identifikuar potenciale të mëdha bashkëpunimi ekonomik mes Ukrainës dhe Shqipërisë. Misioni i biznesit zhvilluar në Ukrainë në Dhjetor 2016 ngjalli shumë interes në bizneset ukrainase për tregun shqiptarë. Në këto kushte Qendra e Eksporteve Shqiptare si një organizatë jo qeveritare e ka për detyrë  të krijojmë mundësi për bizneset sidomos ato të vogla dhe mesme, ne vendosëm të organizojmë në Tiranë forumin e biznesit Shqipëri-Ukrainë më 28 dhe 29 Prill 2017. Është një event historik pasi për herë të parë në Shqipëri organizohet një forum i tillë mes bizneseve shqiptare dhe ukrainase. Forumi i biznesit do të pasojë nga takime B2B mes bizneseve ukrainase dhe atyre shqiptare. Bizneset që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë nga fusha të ndryshme. Një prej tyre është  rrjeti i njohur supermarketesh në Ukrainë . Po ashtu do të vinë kompani që operojnë në fushën e turizmit, kompani që prodhojnë miell, grurë, misër, vaj luledielli, sheqer, kripë përfshi kompani të cilat prodhojnë pjesë për pajisjet që përdoren në bujqësi.  Pjesë e këtij misioni biznesi nga Ukraina janë edhe zyrtarë të qeverisë përfshi përfaqësues nga drejtoria e shërbimeve veterinare”.  

Mesazhi im për të gjithë bizneset shqiptare tha ajo  është që ta përdorin këtë mundësi për të lidhur kontakte dhe kontrata direkte me parterët ukrainas. Kjo është një mundësi unike për ta.

“Produktet ukrainase janë prezentë në tregun shqiptarë por përmes personave të tretë. Përmes këtij forumi synojmë të eliminojmë pikërisht këto palë të treta dhe produktet shqiptare apo apo ukrainase të shkojnë në tregjet përkatëse përmes marrëveshjeve direkte të kompanive” deklaroi Elvira Sevostianenko.

Zonja Elvira Sevostianenko foli edhe për nevojën e një marrëveshje të tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Ukrainës për të cilën tha:

“Një prej qëllimeve kryesore të Dhomës së Tregtisë së Doneskut në bashkëpunim me Qendrën e Eksporteve Shqiptarë është nevoja e pasjes së një marrëveshje të tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Mospasja e një marrëveshje të tillë nuk i ndihmon bizneset e dy vendeve tona të bëjnë tregti me njëri tjetrin. Të tilla tarifa doganore duhet të hiqen. Detyra jonë është të nisim negociatat për bërjen realitet të një marrëveshje të tillë mes dy qeverive”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat