Dom Shtjefën Kurti - Historia e klerikut që pushkatua nga regjimi komunist për një pagëzim

Shqipëria

Dom Shtjefën Kurti - Historia e klerikut që pushkatua nga regjimi komunist për një pagëzim

Më: 17 prill 2017 Në ora: 15:22
Historia e klerikut që pushkatua nga regjimi komunist për një pagëzim

Në Kurbin është përkujtuar figura e Dom Shtjefën Kurtit, kleriku që u pushkatua nga regjimi komunist vetëm pse pagëzoi fshehurazi një fëmijë 2 vjeçar. Bashkëvuajtës të tij, por edhe banorë që e njohën thonë se vlerat e atij njeriu të urtë janë krenari për kombin dhe duhen vlerësuar.

Historia e Dom Shtjefen Kurtit, martirit të fesë që u pushkatua me akuzën se kishte kryer shërbime fetare dhe pagëzuar një fëmije është sjellë sërish në kujtesë në Gurez të Kurbinit.

Shoqata Antikoministe të  ish-të përndjekurve politikë së bashkua me bashkëvuajtës dhe familjare të Kurtit pasi bënë homazhe pranë bustit të tij, vizituan familjen e përsonit që kishte pagëzuar kleriku për të cilin ishte dhe pushkatuar.

Prena Nishi rrëfen historinë, duke deklaruar se djalin e kishte çuar fshehurazi natën për ta pagëzuar dhe se ka kuptuar asnjëhere si e kishin kuptuar xhelatët komunistë siç i cilëson ajo.

Prena Nishi: Shkuam fshehtas, natën dhe e pagëzuam. Nuk na pa askush i gjallë. Se nga u mor vesh, aty e di Zoti. Ndoshta kanë qenë spiunë të fshehur, nuk e di.

Tonin Nishi, vetëm 2-vjeç kur u pagëzua, rrëfen se historinë e pushkatimit të klerikut Kurti e ka mësuar në moshen 13-vjeçare. Ai thotë se e sjell në kujtese shpesh herë atë ngjarje.

Tonin Nishi: Vatikani ka shkruajtur, se jemi kapur për këtë punë. Prifti pastë dritë të pagëzoi ty dhe na kapën të gjithëve si grup na futën brenda dhe atë e pushkatuan.

Bashkëvuajtesit e klerikut tregojnë kalvarin e vuajtjeve dhe mundimeve që kanë kaluar në burg gjatë kohes së regjimit komunist.

Fran Ndoci: Unë kam rënë 26 vjeç në burg dhe kam daqë 40. Në moshën më të mirë të jetës, me 8 vjet shkollë. Por regjimi atë punë kishte dhe për të pushkatuar Shtjefen Kurtin na kapën dhe ne që të bëhemi një grup se vetëm mund të mos e pushkatonin.

Agustin Preçi: Gjatë gjithë hetuesisë në burgun e Tiranës unë e kam pasur dhomën e izolimit ngjitur me Shtjefen Kurtin. Torturë pa bërë në këtë dynja lënë nuk kanë, i kam vijat e hekurave edhe sot. Kam ra 32 vjeç, kam dalë 40. Na kanë fut në burg pa ditur asgjë.

Nipi i Dom Shtjefen Kurtit thotë se dhimbja për pushkatimin e tij ka qenë mjaft e madhe, kjo duke ju referuar dhe faktit se as eshtrat nuk janë gjetur.

Nikolin Kurti: Sot nuk i gjenden akoma eshtrat, është një krim, një pistë kriminale e padëgjuar në botë. Thjesht se donte të luftonte atë njeri të mençur, të zgjuar, intelektual me shumë influencë në këtë zonë.

Kryetari i Shoqates Antikomuniste të ish-të përndjekurve politik, Nebil Çika, shprehet se njerez si Dom Kurti janë krenari për vendin.

Nebil Çika: Zgjodhëm këtë moment për të nderuar këta martirë të lirisë, demokracisë, besimit, si themeli i luftës sonë dhe përpjekjeve tona edhe sot për demokraci.

Pas 8 muajsh burg, më 29 shtator 1971 i lidhur këmbë e duar, Dom Shtjefen Kurti u dërgua para togës së pushkatimit, ndërsa historia e tij ka bërë jehonë në mbarë Evropën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat