Kodheli: Përvoja e ushtarakëve rezervë, shumë e vlefshme

Shqipëria

Kodheli: Përvoja e ushtarakëve rezervë, shumë e vlefshme

Më: 23 prill 2017 Në ora: 13:46
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli mori pjesë në çeljen e Zyrës së re të Mobilizimit në qytetin e Elbasanit

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli mori pjesë në çeljen e Zyrës së re të Mobilizimit në qytetin e Elbasanit, e cila vjen në vazhdën e hapjes së këtyre zyrave në të gjithë vendin.

Në hapjen e kësaj zyre, ministrja Kodheli shoqërohej nga komandanti i Komandës Mbështetëse kolonel Ardian Bali dhe ushtarakët në rezervë të këtij qarku, të cilët do të administrojnë këto zyra.

Në fjalën e saj ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli vlerësoi vendndodhjen e Zyrës së re të Mobilizimit, çka pritet të sjellë një bashkëpunim edhe më të ngushtë mes ushtarakëve në rezervë dhe atyre aktivë. “Ky ambient daton herët si repart ushtarak dhe në ambientet e tij brenda repartit kemi organizuar zyrat e mobilizimit të rezervistëve, në vazhdim të zyrave që kemi hapur në çdo qendër qarku”, tha Kodheli.

Më tej ministrja Kodheli foli për qëllimin e e hapjes së këtyre zyrave, duke e konsideruar ende të vlefshme përvojën e ushtarakëve në rezervë. “Vazhdojmë të përsërisim që nevoja për të pasur një data base, të dhëna të sakta për rezervistët, oficerët në rezervë dhe në lirim, lind nga nevoja për të pasur këta njerëz aktivë pranë, për të pasur pranë ekspertizën e tyre, për të pasur pranë njohuritë e tyre, për të pasur pranë dhe ata vetë fizikisht në të gjitha herët që qytetarët shqiptarë apo pse jo dhe vetë Forcat e Armatosura kanë nevojë për më shumë njerëz.

Sigurisht që kjo do të ndodhë në rastet e emergjencave civile, në rastet e përmbytjeve, në rastet e dëborës, të bllokimeve, në rastet e nevojës për hapje rrugësh kur ato janë zënë për shkak të kushteve të këqija, sigurisht dhe në raste të nevojës që Forcat e Armatosura kanë për specialitete dhe profesione specifike, të cilat me thënë të drejtën, po humbin rrugës.” – u shpreh ministrja Kodheli, pa harruar t’i urojë suksese në punë ushtarakëve në rezervë që do të administrojnë këto zyra.

Zyrat e Mobilizimit në Elbasan është hapur në mjediset e repartit ushtarak në Mengel, i cili ndodhet në afërsi të qytetit. Veç mobilizimit të ushtarakëve në rezervë në rastet e emergjencave, kjo zyrë dhe të gjitha të tjerat të hapura në të gjithë vendin, do të shërbejnë si zyra informacioni edhe për të rinjtë që kanë dëshirë të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat