Zbulohet sa do shtohet paga minimale e shqiptarëve... një rritje "minimale"

Shqipëria

Zbulohet sa do shtohet paga minimale e shqiptarëve... një rritje "minimale"

Më: 24 prill 2017 Në ora: 16:04
Ministri i Financave Ahmetaj

Qeveria do të rrisë pagën minimale të shqiptarëve me 2 mijë lekë të reja.

Vendimi që pritet të merret nga Këshilli i Ministrave rrit kësisoj në mënyrë “minimale”, pagën e detyrueshme “dysheme” të shtetit shqiptar, e cila pritet të shkojë në 24 mijë lekë, nga 22 mijë lekë që është aktualisht.

“Besoj se këtë të mërkurë, në mbledhjen e radhës së qeverisë, do të kemi aprovimin e pagës minimale në nivelin 24 mijë lekë. Është e konsultuar me sipërmarrjen, me shoqatat e punëmarrësve, e gjithashtu me shoqatat e punëdhënësve”,-tha Ministri i Financave Ahmetaj.

Ahmetaj ka qenë i pranishëm këtë të hënë për të prezantuar uljen e TVSH-së për akomodimin në turizëm, nga 20 në 6 %, në komisionin parlamentar të ekonomisë.

“Unë besoj se, menjëherë pas kalimit të ligjit, do të kalojmë në një fushatë formalizimi të sektorit të turizmit dhe besoj se do të shoqërohet edhe me një regjistrim të detajuar të të gjithë shtretërve në Republikën e Shqipërisë”, deklaroi më tej Ahmetaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat