Gjergj Bojaxhi: Ja 4 prioritetet e SFIDA-s në 18 Qershor

Shqipëria

Gjergj Bojaxhi: Ja 4 prioritetet e SFIDA-s në 18 Qershor

Më: 24 prill 2017 Në ora: 18:40
Gjergj Bojaxhi

Gjergj Bojaxhi ka bërë publike propozimet kryesore të SFIDA për Shqipërinë në zgjedhjet e 18 qershorit, duke cilësuar si prioritet vetting-un edhe ndaj politikanëve.

Në një intervistë të dhënë në rubrikën “Opinion” në  News24, anëtari themelues i SFIDA për Shqipërinë, u shpreh se qëllimi i Sfidës është për një politikë të pastër dhe se u duhet dhënë fund pazareve të politikës në kurriz të qytetarëve.

“Katër janë prioritetet kryesore te SFIDA: Vetting i klasës politike aktuale, kufizim i mandatit  të politikanëve, demokraci e brendshme te partitë, si edhe zbatim i së drejtës për referendum, si mënyrë për të respektuar mendimin e njerëzve”, ka thënë ai.

Bojaxhi konfirmoi se SFIDA për Shqipërinë është e gatshme për zgjedhjet e 18 qershorit dhe se partitë politike duhet t’i japin fund krizës artificiale që kanë krijuar, pasi ai thotë se janë vetë ato që kanë vendosur këto rregulla zgjedhore.

“Të dyja palët po tregojnë forcën dhe pushtetin që kanë në shkelje të të drejtave tona. Këto parti po negociojnë mbi kurrizin tonë dhe çdo marrëveshje që pretendojnë se bëjnë është keq për popullin.”

Pavarësisht manipulimeve të politikës për të zhvlerësuar peshën e votës, Bojaxhi tha se ata nuk ja kanë arritur dhe nuk do të mund të realizojnë dëshirën e tyre.

“Prandaj, SFIDA do të kërkojë të përfaqësojë të gjithë qytetarët shqiptarë që janë të lodhur me politikën e padenjë të këtyre viteve. Ata qytetarë që duan të marrin vendin në dorë”, përfundoi intervistën Bojaxhi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat