Pushteti i ri i Bashkive, nëse duan mund të rrisin me 30% taksën e pasurisë për bizneset e vogla

Shqipëria

Pushteti i ri i Bashkive, nëse duan mund të rrisin me 30% taksën e pasurisë për bizneset e vogla

Më: 28 prill 2017 Në ora: 09:13
Ilustrim

Taksat e pasurisë së paluajtshme për bizneset e vogla mund të rriten me 30%, në rast se Bashkitë do ta gjykojnë të nevojshëm një rritje të tillë.

Me ligjin e ri të financave vendore, bashkitë në Shqipëri do të kenë të drejtë të ndryshojnë taksën e pasurisë së paluajtshme për bizneset, duke e rritur deri në 30%. Më parë, bashkitë kishin të drejtë të ulnin këtë taksë me 30% dhe ta rrisnin me 10% për bizneset dhe ta ndryshonin +/-30% për individët. Në këtë mënyrë është unifikuar hapësira që kanë bashkitë për ndryshimin e kësaj takse.

Ndryshimet janë miratuar tashmë në Komisionin e Ekonomisë. Në nenin 12 është shtuar pika 5 me këtë përmbajtje “Për taksën e pasurisë së palujatshme këshilli bashkiak vendos nivelin e taksës në kufijtë plus 30 per qind dhe minus 30 për qind  të taksës për kategorinë përkatëse.

Në pikën 3 të nenit 21 fjalia “ndërsa për tatimimpaguesit e biznesit të vogël, kufijtë plus 10 për qind dhe minus 30 për qind  të ligjit nr.9632 datë 30.10.2016 për sistemin e taksave vendore i ndryshuar shfuqizohet .

Ligji aktual për taksat vendore specifikonte se “Këshilli bashkiak ose komunal vendos për nivelin e taksës, që do të zbatohet për çdo kategori minimale të bazës së taksës, të parashikuar në anekset 1 e 2, në kufijtë plus-minus 30 për qind të nivelit tregues të taksës për kategorinë përkatëse. Ndërsa për tatimpaguesit e biznesit të vogël kufijtë janë plus 10/minus 30 për qind”.

Ndryshimi u bë pas kërkesës së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Komisioni i Ekonomisë ka diskutuar me miratuar dje projektligjin për financat e qeverisjes vendore. Me anë të këtij projektligji synohet të rritet autonomia fiskale vendore me anë të sigurimit të sa më shumë burimeve të financimit.

Projektligji është hartuar, diskutuar dhe konsultuar me grupet e interesit gjatë periudhës shkurt 2016 – shkurt 2017. Gjatë kësaj periudhe, njësitë e vetëqeverisjes vendore, shoqatat e tyre, ekspertë të financave vendore, 2 ekspertë të shoqërisë civile dhe ekspertë dhe konsulentë me përvojë nga USAID-i, qeveria zvicerane, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian kanë dhënë kontributet dhe rekomandimet e tyre për përmirësimin e politikave dhe instrumenteve të propozuara nga ky projektligj. Këto rekomandime janë diskutuar gjerësisht nga grupi i punës për hartimin e projektligjit dhe ekspertë të ministrisë së financave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat