Pika e tij e dobët, Meta: Shpresoj tek Berisha për të zgjidhur situatën

Shqipëria

Pika e tij e dobët, Meta: Shpresoj tek Berisha për të zgjidhur situatën

Më: 29 prill 2017 Në ora: 00:51
Meta Berisha

Ilir Meta, Presidenti i ri i zgjedhur, nuk do të jetë më kryetar i LSI por është i bindur se kjo forcë politike do të rritet në elektorat. Meta tha se teserën e LSI do ta dorëzojë një ditë përpara se të marrë detyrën e re, duke lënë të kuptohet se mund ta drejtojë këtë forcë politike në fushatë për zgjedhjet e 18 qershorit. Ndërkohë bashkëshortja e tij, njëherësh edhe deputete e LSI, Monika Kryemadhi, edhe pse do të donte një President tjetër, i uroi të ketë mençuri dhe kthjelltësinë e duhur për të kryer si duhet këtë detyrë.

Pas zgjedhjes së Ilir Metës President, LSI do të humbë dhe kryetarin e saj 13 vjeçar. Por kjo për Metën nuk do ta rrudhë këtë forcë politike. Presidenti i ri është i bindur se falë energjisë së të rinjve të kësaj force, LSI do të rritet.

Meta: Absolutisht unë besoj se Lëvizja Socialiste për Integrim do të fuqizohet dhe do të rritet, sepse ka mjaft drejtues dhe drejtuese të aftë dhe të jashtëzakonshëm. Jo vetëm të LSI-së, por mbi të gjitha të fuqisë më të madhe që ka LSI-ja, Lëvizja Rinore për Integrim.

Meta nuk e ka menduar akoma se kush do të jetë në krye të kësaj force apo se kush do të jetë në krye të Kuvendit, por teserën e partisë që Kushtetuta ia ndalon ta mbajë, do ta dorëzojë 1 ditë përpara se të marrë detyrën e re.

Meta: Në 24 korrik do të duhet të bëj betimin si Presidenti i ardhshëm i vendit për pesë vitet në vijim dhe në 23 korrik do të dorëzoj dokumentin e Lëvizjes Socialiste për Integrim te Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, ose Zëvendëskryetari i LSI-së, dhe do t’u them që të ma ruajnë mirë atë dokument.

I pyetur nëse ka marrë një urim nga ish-kryeministri, Meta tha se zoti Berisha është pika e tij e dobët dhe se shpreson nga maturia e tij për të kaluar këtë krizë politike.

Meta: Ju e dini që është dobësia ime, por unë shpresoj shumë tek eksperienca e tij dhe e shumë politikanëve të tjerë në Partinë Demokratike që të kontribuojnë për përmirësimin e kësaj situate, sepse gjithë qytetarët shqiptarë, socialistë, demokratë, të majtë, të djathtë, pa parti dëshirojnë një vend edhe më demokratik, edhe më të sigurt, edhe më të mirë për familjet e tyre. Kështu që unë do doja shumë të besoja tek eksperienca e tij edhe e shumë politikanëve të tjerë në Partinë Demokratike, padyshim pa përjashtuar edhe vetë Kryetarin, z. Basha.

Megjithëse do të donte një Presidenti tjetër, bashkëshortja e zotit Meta, deputetja e LSI, Monika Kryemadhi shpreson që Presidenti i ri të ketë mençurinë dhe kthejlltësinë e duhur për të kryer detyrën e tij si duhet.

Kryemadhi: Unë do ti uroj që ti japë Zoti kthjelltësi, mençuri që pozicionin të cilin ai e mori ta bëjë ashtu siç duhet bërë. Shqipëria ka nevojë për shumë stabilitet dhe zhvillim të fuqishëm ekonomik. Ka nevojë për një stabilitet politik. Mua do të më pëlqente Petrit Vasili dhe Arta Dade, por nganjëherë pakica i nënshtrohet shumicës.

Kryemadhi nuk do ta lërë funksionin e saj si deputete, edhe pse tashmë do të jetë Zonja e Parë e vendit.

Kryemadhi: Kam votuar si një deputet e thjeshtë. Zonja e Parë nuk ekziston në Kushtetutën e Shqipërisë, mos u shqetësoni se Shqipëria nuk është një vend aq i pasur sa të krijojë institucione të tilla. Jam deputete e Kuvendit.

Do jeni deputete dhe pas 18 qershorit?

Kryemadhi: Sigurisht. Do jem në listë, do drejtoj qarkun që kam marrë përsipër deri në fund.

Pas kësaj zgjedhje, Monika Kryemadhi shpreson që edhe opozita të kthehet në parlament, për të siguruar normalitetin politik në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat