Pensionet/ Si ndryshon mosha dhe vjetërsia e punës

Shqipëria

Pensionet/ Si ndryshon mosha dhe vjetërsia e punës

Më: 7 maj 2017 Në ora: 08:26
Pensionistët, foto arkiv

Kriteret e daljes në pension për vitin që vjen pësojnë ndryshime, jo vetë kundrejt rritjes së moshës, por edhe vjetërsisë kontributive të kërkuar, si për meshkujt, ashtu edhe për femrat.

Në mënyrë të detajuar, për burrat mosha e daljes në pension pëson ndryshime vetëm për personat që kanë punuar në profesionet e kategorisë së parë, e cila shtohet me 6 muaj (62 vjeç e 6 muaj), ndërsa për punonjësit e dy kategorive të tjera, mosha e daljes në pension mbetet po 65 vjeç.

Vjetërsia kontributive e kërkuar si kusht për të përfituar pension për herë të parë, pëson rritje me 4 muaj më shumë për të tria kategoritë e profesioneve. Kështu burrat kanë të drejtë të përfitojnë pension të plotë pleqërie përgjatë 2018­ës, kur kanë të konfirmuar në librezë si vjetërsi pune 36 vite e 4 muaj.

Ndryshimi i kritereve për femrat parashikon që mosha e daljes në pension të shtohet me 6 muaj për aplikueset që kanë kryer punë të kategorisë së parë, si dhe me nga dy muaj për aplikueset që kanë kryer punë të grupuara në kategorinë e dytë dhe të tretë të skemës së pensioneve.

Në këto kushte, përgjatë 2018­-ës do të dalin në pension femrat që kanë moshën 57 vjeç e 6 muaj për kategorinë e parë, si dhe 60 vjeç e 8 muaj për përfitueset që kanë kryer punë të dy kategorive të tjera. Rritje do të pësojë edhe vjetërsia kontributeve që duhet, e cila shtohet me nga 4 muaj vetëm për aplikueset që kanë kryer punë të kategorisë së dytë dhe të tretë.

Në vijim të shkrimit të gazetës “DITA” gjenden të detajuara kushtet e daljes në pension për të dyja gjinitë.

Personat që janë në prag të plotësimit të këtyre kritereve, duhet që të dorëzojnë pranë organeve përgjegjëse të sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tyre kërkesën për përfitim pensioni, së bashku me dokumentacionin përkatës. Kjo në mënyrë që mos të vonohet dalja në pension për shkak të verifikimeve të kushteve të përfitimit që do të bëjnë organet përgjegjëse të sigurimeve shoqërore.

Lidhja e pensionit

Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë.

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e ndryshuar të sigurimeve shoqërore, shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar aplikuesi për pension, me periudhën e sigurimit të kërkuar, shumëzuar me pensionin social. Ndërsa shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve.

Megjithatë, në çdo rast shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social. Formula konkrete se si llogaritet pensioni është: Pensioni i pleqërisë = Pension Social shumëzuar për vjetërsi kontributive të realizuar +1/100 shumëzuar me vitet e sigurimit dhe me bazën e vlerësuar.

Llogaritja e bazës së vlerësuar

Sipas ligjit, baza e vlerësuar për lidhjen e pensioneve, llogaritet si raport i shumës së pagave për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1 janar e 1994­ës, deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1 janar të 1994 për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ndërsa për periudhën e sigurimit në ish kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Për rastet në të cilat personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1 janar të 1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish­punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish­anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994, si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar, apo ekonomikisht aktiv pas datës një janar 1994.

Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas një janarit të 2016 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese sipas llojit të punës, ose funksionit përpara datës një janar 1994, si edhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 1­1.1994, deri në 31­12­2015, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2015 me pagën minimale të vitit 1994, ose me pagën minimale të vitit përkatës.

Përfitimi i reduktuar

Kategoritë që për arsye të ndryshme nuk mund të presin mbushjen e moshës së kërkuar për të dalë në pension, kanë të drejtë që të aplikojnë për përfitime të reduktuara. Konkretisht, këta persona kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension, vetëm kur nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar.

Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë është pjesë e pensionit të pleqërisë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i pleqërisë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit është 0.6 për qind në muaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat