Rama i përgjigjet Bashës: 18 qershori na ndan nga e kaluara, ju rrini në bunkierin e plastmasit

Shqipëria

Rama i përgjigjet Bashës: 18 qershori na ndan nga e kaluara, ju rrini në bunkierin e plastmasit

Më: 8 maj 2017 Në ora: 19:09
Edi Rama dhe Lulzim Basha

Nga Berati, ku kryeministri Edi Rama takoi votuesit që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e qershorit, u ndal pikërisht në faktin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve edhe pse opozita ka djegur çdo shans për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Ky është një moment i rëndësishëm, jo vetëm personalisht, por edhe për Shqipërinë që duam. Pasi më 18 qershor ne do ndahemi një herë e mirë nga e shkuara. Pasi më 18 qershor ne do pushojmë nga puna prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar. Ne do vendosim që të vazhdojmë përpara në rrugën e vetme për Shqipërinë, rruga për të bërë shtet”, tha Rama. 

“PD ka vendos që të mos bëhet pjesë e këtij procesi, ka vendosur të braktisë zgjedhjet dhe të hyjë në rrugën pakrye të frikës që e ka kapur lidershipin e saj nga drejtësia. Duke qenë se janë të trembur nga kjo duan që në Shqipëri të mos bëhen zgjedhje. Ndaj ata duan që të trembin edhe ata që duan të votojnë. Por ju siguroj që këtu as nuk do të bëhet asgjë tjetër më shumë se sa zgjedhje”, tha Rama. 

Sipas tij, PD-ja qe solli vitin 1997 është futur sot ne një bunker plastmasi. 

“Të votosh për herë të parë është një moment shumë i rëndësishëm. Në 18 qershor ne do të ndahemi njëherë e mirë nga e kaluara. Do ecim drejt Europës, apo do kthehemi pas për t'u futur në bunkerin e plastmasit ku PD po shkruan historinë e saj më të shëmtuar. Më 18 qershor nuk vendosim thjesht se kush do qeverisë, por si do jetë Shqipëria e 15 viteve të ardhshme. Na duhet të jemi të vetëdijshëm se të votosh do të thotë të vendosësh dhe sa më shumë shoqe, shokë, miq, të njohur, ju të merrni me vete në këtë rrugë që kemi nisur së bashku dhe sa më të bashkuar të jemi në 18 qershor, aq më e fortë do të jetë Shqipëria që duam", u shpreh Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat