Basha: Marrim paratë e oligarkëve dhe ua japim shqiptarëve

Shqipëria

Basha: Marrim paratë e oligarkëve dhe ua japim shqiptarëve

Më: 9 maj 2017 Në ora: 10:25
Lulzim Basha

Më 13 maj, demokratët kanë paralajmëruar se do ta mbajnë përpara kryeministrisë. Kreu demokrat, Lulzim Basha ka ftuar qytetarët që ti bashkohen opozitës në fitoren e radhës, që siç shprehet ai, e shënoi fitoren e saj të parë në Kavajë. “Edi Rama dhe çeta e tij politike që në këto katër vite i shërbeu vetëm axhendës së vet politike dhe pasurore, dhe asnjë ditë axhendës tuaj, asnjë ditë halleve dhe probleme të shqiptarëve, asnjë ditë punësimit, arsimit shëndetësisë, ta mendojë mirë hapin tjetër që hedh. Jeni jashtë ligjit, jeni jashtë moralit, jeni jashtë politikës, dhe si të tillë do të trajtoheni nëse nuk tërhiqeni menjëherë.

Votim monist në 18 Qershor nuk do të ketë. Votim pa opozitën nuk do të ketë. Parlament të diktuar nga krimi dhe droga, nuk do të ketë. Ne bashkohemi për të nisur në 13 maj, themelimin e Republikës së Re për çdo qytetare e qytetar shqiptar. Ne njohim dhe do të njohim vetëm këtë Republikë të Re. Bëhuni pjesë e konsensusit popullor për të shembur të vjetrën, shtetin e dështuar, të korruptuar e të inkriminuar e për të ndërtuar së bashku Republikën e Re. Bëhuni pjesë e konsensusit, ose përballuni me popullin”, përfundoi Basha.

Në ditën e 80 të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, Lulzim Basha paralajmëroi nga çadra e PD-së, se paratë e “oligarkëve dhe politikanëve” të korruptuar do t’i nxjerrë nga bankat dhe do ua ndajë shqiptarëve. “Mbi 40 mijë familje që janë hequr padrejtësisht nga ndihma ekonomike, një pjesë prej të cilëve kanë ikur në azil për të mbajtur frymën gjallë dhe mbi 70 mijë të tjerë, të cilëve shteti kriminal dhe i dështuar i Edi Ramës ua merr me fatura energjie, me taksa dhe me çmime të larta, atë që ua jep me një dorë, duhet ta dinë, se në Republikën e Re, çdokush që ka nevojë për ndihmën ekonomike, në kohën që përgatitet për të gjetur punësim në ekonominë e fortë dhe të nesërmen e sigurt që Republika e Re do të ndërtojë, do ta ketë shtetin në krah.

Se faturat e energjisë, deri në 300KV, dhe faturat e ujit për konsumin jetik do të paguhen nga buxheti i shtetit për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike. Ku i ke paratë thotë. Pyete Vilma Nushin se ku i ke paratë? Do t’i nxjerrim paratë nga valixhet dhe kontot dhe bankat e oligarkëve dhe pushtetarëve të korruptuar dhe do t’ia kthejmë shqiptarëve, zotërve të vërtetë të tyre”, tha Basha.

Më tej, kreu demokrat ka sqaruar se republika e re do të rrisë pensionet ne 250 mijë lekë, do të anulojë koncesionet korruptive, do të hapë vende të reja pune e do të luftojë drogën. Po ashtu ai tha se Republika e Re nuk është vetëm e demokratëve, por e të gjithë shqiptarëve. “Republika e Re nuk është republika vetëm e demokratëve, nuk është ideja e Lul Bashës, është thirrja e kohës, është standardi minimal që janë gati të pranojnë bijtë dhe bijat tuaja, qëndrestarë dhe luftëtarë të dhjetorit ‘90.

Ju luftuat dhe sollët pluralizmin, luftuat dhe sollët liri në nivele dhe standarde të ndryshme, ne njohëm dhe prekëm funksionimin e demokracisë, por demokracinë reale, atë pjesëmarrëse, jo përfaqësuese, që e keni në dorë ju, siç e ka në dorë çdo qytetar i lirë europian, atë s’e keni pasur asnjë ditë. Kjo është ëndrra e brezit të ri. Në fakt, më shumë se ëndërr ky është ultimatumi i brezit të ri”, u shpreh kryedemokrati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat