Denoncimi i Vokshit: PS detyron administratën publike të votojë për të

Shqipëria

Denoncimi i Vokshit: PS detyron administratën publike të votojë për të

Më: 11 maj 2017 Në ora: 21:42
Deputetja demokrate, Albana Vokshi

Deputetja demokrate, Albana Vokshi, denoncoi nga studio e “Ora News”, presionin që sipas saj Partia Socialiste po ushtron ndaj administratës zgjedhore.

Sipas Vokshit, në të gjitha institucionet shtetërore janë shpërndarë formularë ku kërkohet që nëpunësit të firmosin për vete dhe familjarët e tyre që do të votojnë për PS në 18 qershor ose në të kundërt pushohen nga puna.

Vokshi: Askush në Shqipëri nuk do të donte në shkonte në punë ku në mëngjes i priste ky formular këtu, i shpërndarë në të gjithë institucionet shtetërore. Janë formularë që janë shpërndarë në administratën publike shtetërore. Këto janë shpërndarë në një spital rajonal, nuk po e përmend emrin e personit që ma ka dërguar sepse që nesër pushohet nga puna. Mjekë, infermireë dhe sanitarë janë të detyruar të dorëzojnë kartat e identitetit dhe të firmosin që ata do të votojnë PS. Ky është formulari tjetër që janë të detyruar të marrin përsipër të gjithë familjarët e tyre që të votojnë për PS përndryshe ky person është i pushuar nga puna.

E bindur për kostot që mund të ketë Partia Demokratike duke mos hyrë në zgjedhje, Vokshi thotë se për kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ja vjen çdo sakrificë.

Vokshi: Ajo çka opozita ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë është thjesht zgjedhje të lira dhe të ndershme. PD është e hapur për dialog por në asnjë moment nuk mendohet dhe nuk tërhiqet nga qëllimi kryesor për tu siguruar qytetarëve shqiptarë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Me një Kryeministër si Edi Rama ne jemi të sigurt që kjo nuk mund të arrihet. Argumentat i jep DASH, Europol, progres-raporti i KE në nëntor 2016 ku më së fundi përmendet dhe droga. Kavaja u arrit për shkak të presionit të gjithë qytetarëve, tërheqja e Ramës nga Kavaja ishte për shkak të presionit të qytetarëve të Kavajës që e braktisën. Jemi të vendosur për të vazhduar luftën tonë.Është e dhimbshme që PD të mos futet në fushatë zgjedhore dhe të mos regjistrohet por kauza është shumë e madhe. Jam e keqardhur që propaganda e Edi Ramës ka funksionuar jo vetëm në Shqipëri por edhe tek miqtë tanë jashtë Shqipërisë që në shumë raste nuk janë të mirëinformuar. Kauza jonë është shumë e madhe dhe mendoj se ja vlen të sakrifikosh për të.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat