Idrizi: Dy forcat politike nuk duan të bëjnë marrëveshje

Shqipëria

Idrizi: Dy forcat politike nuk duan të bëjnë marrëveshje

Më: 14 maj 2017 Në ora: 09:38
Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi

Ne presim të ketë një marrëveshje që të gjitha forcat politike të shkojnë në zgjedhje, për t’ju dhënë mundësinë shqiptarëve të votojnë dhe të zgjedhin. Kështu u shpreh Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, gjatë një takimi me Forumin e Gruas të PDIU-së në Fier, për zgjedhjet e 18 qershorit. Në këtë takim ishte e pranishme deputetja Mesila Doda, kryetarja e Forumit të Gruas të PDIU-së Vjollca Braho, si dhe kreu i PDIU-së në Fier Nustret Avdullai.

Idrizi u shpreh se dy forcat e mëdha politike nuk duan të bëjnë marrëveshje, por kanë zgjedhur konfliktualitetin.

Idrizi: Unë jam i bindur që dy forcat politike nuk duan të bëjnë marrëveshje, ato duan ta mbajnë këtë vend në konfliktualitet. Duan që të na ndajnë në tifoz dhe harrojmë që ne jemi të gjithë shqiptarë. Konfliktualiteti është instaluar prej 27 vjetësh në politikën shqiptare, në mënyrë që qytetarët, që ju zonjat e nderura, të mos kuptoni cilat janë hallet dhe të mos kuptoni cili është roli i politikës. Roli i politikës është arti i kompromisit, arti i marrëveshjes dhe jo arti i konfliktualitetit. Shqipëtarët nuk kanë pse të shkojnë në 18 qershor thjesht për të votuar, por duhen bërë zgjedhje, të ushtrojnë demokracinë një herë në 4 vjet. PDIU jo rastësisht ka dhe numrin 5 në fletën e votimit. Ne jemi të ndarë në 5 shtete dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka mbështetur gjithmonë bashkimin e shqiptarëve. Sot Kosova po hyn në një palë zgjedhje të sforcuara, shqiptarët e Maqedonisë kanë poblemet e tyre dhe ç’farë po bëjmë ne në Shqipëri? Kaq të vështirë e kemi që të gjejmë frymën e bashkëpunimit. Prandaj unë ju ftoj ta prishim “status quo”-në e dy partive të mëdha, ta prishim kënetën e 27 viteve dhe ti japim zë forcave të reja të fuqishme kombëtariste, që e duan këtë vend.

Shpëtim Idrizi tha se gratë mund të gjejnë një zgjidhje për krizën aktuale.

Idrizi: Nëse do uleshin drejtueset e forumeve të grave, patjetër që do ta shmangnin konfiktualitetin politik që ka mbërthyer Shqipërinë. Unë jam i bindur që siç ju gratë dini të mirëmbani me gjithë forcën e dashurisë tuaj familjen, po me atë dashuri ju do të dini të mbroni atdheun, sepse ju jeni të parat që mendoni se ne kemi veç një familje, vec një Atdhe. Prania e gruas në politikën shqiptare do të ndryshojë këtë lloj konfliktualiteti. Unë i ftoj të gjitha gratë të mos i rrinë larg politikës, ndryshe politika do të vijë në shtëpitë tuaja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat