Demokratët nuk sprapsen: Pa qeveri teknike nuk ka zgjedhje

Shqipëria

Demokratët nuk sprapsen: Pa qeveri teknike nuk ka zgjedhje

Më: 15 maj 2017 Në ora: 08:00
Lulzim Basha

Një ditë para mbërritjes në Tiranë të negociatorit amerikan, Hoyt Yee, i cili do të tentojë të rikthejë dialogun mes palëve për të zgjidhur ngërçin politik, kreu demokrat, Lulzim Basha, u ka dhënë përgjigje aludimeve në lidhje me tërheqjen nga kërkesa për qeveri teknike. Nga çadra e lirisë e ngritur përballë kryeministrisë, Basha siguroi demokratët se kërkesat e opozitës nuk do të ndryshojë, por do të mbetet qeveria teknike, votimi dhe numërimi elektronik. “Republika e re kërkon tranzicionin e butë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të cilat mund të sigurohen vetëm përmes një qeverie teknike, që ndahet nga krimi, që lufton drogën, që jep garancinë përmes reformës zgjedhore me votimin dhe numërimin elektronik”, tha Basha. Në vijim të fjalës, kreu demokrat, tha se zgjidhja deklaroi se nuk do të ketë kthim prapa, ndërsa tha se zgjidhja do të vijë, ose përmes dialogut, ose përmes përmbysjes, duke nënvizuar më tej, se në republikën e re, do të ketë një Kushtetutë të re, si dhe theksoi se zyrtarët e lartë të shtetit do të zgjidhen direkt nga populli.

“Republika e re e ka nisur rrugën e saj dhe nuk do të ketë asnjë hap prapa. Nëse republika e vjetër nuk tërhiqet nga plani i saj ogurzi dhe i papranueshëm për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, për të bërë zgjedhje fasadë, për të zgjedhur Parlament me diktatin e krimit, nëse nuk pranon përmes dialogut politik t’i hapë rrugë zgjidhjes së butë me zgjedhje të lira e të ndershme, atëherë republika e re do të marrë në dorë me të gjitha format e mënyrat fatet e qytetarëve, institucionet e republikës, Kushtetutën e re dhe së bashku, paqësisht, por me vendosmëri, do të përmbysim republikën e vjetër. Ose zgjidhja do të vijë përmes dialogut, ose përmes përmbysjes së republikës së vjetër. Ose do e çmontojmë krimin dhe do rikthejmë pushtetin dhe Shqipërisë qytetareve për zgjedhje të lira e të ndershme ose do ta përmbysim Republikën e vjetër përmes marshimit, bashkimit, qëndresës popullore të qytetareve shqiptare. Rrugë tjetër nuk ka. Në një formë apo tjetrën droga dhe krimi do çmontohen dhe Republika e vjetër do të përmbyset”, tha Basha.

Mesazhi

Duke u kthyer te protesta e së shtunës, kryedemokrati Lulzim Basha, tha se ishte agimi i parë i Republikës së re dhe për këtë falënderoi gjithë qytetarët që morën pjesë në protestën e 13 majit. “Falënderoj nga zemra gjithsecilin prej jush, qindra mijëra shqiptarë që sfiduat frikën, provokimet, shantazhet dhe propagandën qeveritare, që u ngritët mbi besimin dhe shpresën e zemrës tuaj për të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj në sheshin e Republikës së Re. Mirënjohje e thellë edhe për ata qindra mijëra shqiptarë që nuk u bashkuan dot fizikisht, por ishin me ne me mendje e me shpirt, e na ndoqën deri në përfundimin e referendumit tonë popullor”. Basha po ashtu nuk ka harruat të vlerësojë angazhimin e aleatëve, për qëndresën ndaj presioneve dhe ofertave të pista për të braktisur kauzën e qytetarëve, votën e lire. “Mirënjohje të veçantë kam për aleatët e koalicionit tonë opozitar, për partitë opozitare, për kryetarët e tyre.

Askush në historinë 27 vjeçare nuk ka qenë me më shumë fat se unë si kryetar i opozitës për besnikërinë, qëndresën, besimin tuaj të patundur të dashur aleatë. Por mbi të gjitha për besnikërinë që keni demonstruar së bashku me mua ndaj qytetarëve shqiptarë dhe kauzës së tyre të drejtë. Sepse thelbi i lëvizjes tonë, thelbi i bashkimit qytetar ka qenë dhe mbetet zëvendësimi i një kupole politike të korruptuar e cila kontrollohet nga krimi, droga dhe oligarkët, me një qeveri që kontrollohet nga qytetarët shqiptarë. Kjo mund dhe duhet të vijë vetëm përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha ai. ka qenë drejtuesi Politik i PS-së për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla, i cili i ka quajtur protestat e demokratëve të dështuara. “Protesta e dështuar e PD sot tregon se ata për fat të keq kanë hyrë në një tunel pafund. Ne bëmë gjithçka për t’i nxjerrë nga tuneli, ofruam gjithçka, por ne nuk mund të presim derisa Saliu të bindet se Luli nuk e bën dot atë punë. Nuk presim dot”, tha Balla.

Bylykbashi kritikon ambasadorët

Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, ka kritikuar rolin e Ambasadorëve në vendin tonë, kryesisht në proçeset zgjedhore. Teksa ka bërë një analizë në vite, Bylykbashi shkruan në rrjetin social Facebok se ambasadorët duke rendur pas stabilitetit kanë mbështetur pozitat në veprime të njëanshme, një çmim që sipas deputetit demokrat e paguam për 12 vjet. Bylykbashi thotë se edhe sot pas 17 vitesh historia po përsëritet. “Përseri degjojmë deklarata për stabilitet dhe legjitimitet të zgjedhjeve edhe pa opozitën. Ndërkohë të gjithë njerëzit normalë janë të shqetësuar për kaosin ku po shpie kjo njëanshmeri që i fryn zjarrit të mosmarrveshjes së politikës shqiptare dhe jo konsensusit”. Pyetja që shtron Bylykbashi është: A kemi kohe te humbim perseri 10-15 vjet të tjera për të rikthyer gjërat në normalitet? Dhe përgjigjen e jep po ai: “Nëse nuk mësojmë nga e shkuara, ne dhe miqtë tanë, historia ka menyrat e veta për të na dhëne mësim përsëri”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat