Ngjarja që tronditi Tiranën, hidhërimi i dy vëllezërve që humbën motrën e vogël

Shqipëria

Ngjarja që tronditi Tiranën, hidhërimi i dy vëllezërve që humbën motrën e vogël

Më: 16 maj 2017 Në ora: 19:21
Blerta Pepa me familje

Një vajzë 16-vjeçare humbi jetën pas një operacioni që bëri në një spital privat në Tiranë.

Autopsia ende nuk ka folur, por paraprakisht dyshohet që Blerta Pepa, të ketë humbur jetën nga sëmundja e “Hipertermisë Malinje”, që prek pacientët gjatë injektimit të anestezisë.

Prindërit kishin marrë garanci nga stafi mjekësor i spitalit privat “Continental”, se gjithçka do të shkonte mirë dhe se ndërhyrja ishte e lehtë. Vajza, që mësonte në shkollën “Andon Z.Cajupi”, kishte pësuar një dëmtim në ligamentin e këmbës gjatë orës së fizkulturës, dhe mjekët kishin thënë se ishte nevoja për operacion.

Vajza ka hyrë në operacion gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme, por vetëm pas mesnate, në orën 01:00 familjarët kanë marrë lajmin për vdekjen e saj. Ajo që pasoi vdekjen tragjike, ishte gjithashtu e rëndë. Mjeku anestezist i pranishëm në operacion, ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, pasi me vdekjen e 16-vjeçares, tentoi të vetëvritej duke injektuar në trup preparat lëndë anestezie. Familjarët nuk e pranojnë këtë fakt dhe thonë se mjekut i ka rënë të fikët nga tronditja që pësoi. Por media u interesua pranë Policisë së Tiranës dhe pranë bluzave të bardha, ku mësoi se mjeku Tefik Zhurda është në rrezik për jetën. Burime thonë se anestezisti është ndjerë në panik kur ka kuptuar se vajza kishte komplikacione dhe se jeta e saj po rrezikohej, dhe në atë moment ka tentuar vetëvrasjen.

Policia e kryeqytetit ka marrë në pyetje stafin e mjekëve që kanë qenë të pranishëm gjatë operacionit si dhe është sekuestruar kartela mjekësore e Blertës për të hetuar mbi rrethanat e ndarjes nga jeta të pacientes në duart e mjekëve.

Spitali privat ka rreth një vit që është hapur në Tiranë dhe ndodhet pranë Kryeqjyshatës Botërore Bektashiane.

Blerta, e ndjera që humbi jetën, ishte një vajzë mjaft e talentuar në muzikë, një zë i spikatur edhe në talent shown “Gjeniu i Vogël” ku ajo kishte marrë pjesë. Edhe vëllai i saj, Ermal Pepa, është një pianist i njohur, ndërsa edhe vëllai më i vogël, Rolandi, ka pasion kitarën. Të dy janë të pikëlluar nga kjo humbje, dhimbje të cilën e kanë shprehur edhe në rrjetet sociale me fjalë të ndjera për motrën e tyre të vogël. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat