Rama: Tërheqja nga Kavaja nuk ishte provë se ne kishim frikë

Shqipëria

Rama: Tërheqja nga Kavaja nuk ishte provë se ne kishim frikë

Më: 17 maj 2017 Në ora: 20:38
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim me gratë e PS-ës, në qytetin e Elbasanit, ku deklaroi se nesër PS fillon zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 18 qershorit.

“Jemi në fazën përmbyllëse të një krize që u krijua nga vetë PD. U përpoq që krizën e saj të çadrës t’ia eksportonte gjithë Shqipërisë. I hapi luftë gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë. Ne bëmë të gjitha përpjekjet që çështjet të adresohen për garancitë e zgjedhjeve iu ofruan PD. Ne kërkuam vetëm një komision hetimor për një proces zgjedhor që u damkos në 1/3 e saj. Ne nuk kërkuam qeveri teknike, por një të drejtë kushtetuese dhe beteja përfundoi vetëm me shkrimin e një neni hapjen e kutive për të gjitha subjektet që kanë pretendime. Ishte fitore minimale në raport me përpjekjet. S’kemi parë ndonjëherë që një kryeministër t’i lutet kryetarit të opozitës që të vi për dialog. As Romeo si është lutur Zhulietës kaq shumë dhe përfundimi ishte jo. Ai thoshte bëj dialog me ty kur të më vish me dorëheqje. U tërhoqëm nga zgjedhjet në Kavajë, sepse donim t’i jepnim një shans PD për rrugën e arsyes. Tërheqja nga Kavaja nuk ishte provë se ne kishim frikë. Jemi në orët e fundit. Vijojnë lojën sërish. Çfarë është Shqipëria një kopsht ku të gjithë shkojnë pas një fëmije grindavec? Askush s’mund të jetë mbi ligjin”, deklaroi Rama.

“Jemi mësuar të shohim përplasje dhe kriza, që në shumicën e herës janë krijuar nga vetë partitë, nga vetë elitat politike të tyre, që flasin për popullin gjithë ditën por që shumë pak mendojnë për të dhe shumë më pak bëjnë për të”, ka thënë Rama.

Ai ka vijuar se të gjithë qytetarët janë dëshmitarë se PS bëri të gjitha përpjekjet për të adresuar krizën, përpjekje që sipas tij nuk i ka bërë asnjë qeveri më parë.

Ai ka shtuar se, shtyrja e zgjedhjeve është e pamundur për faktin se qytetarëve nuk mund t’u mohohet e drejta për të gjykuar qeveritë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat