Nesër raporti i KE për progresin dhe rekomandimet për reformat

Shqipëria

Nesër raporti i KE për progresin dhe rekomandimet për reformat

Më: 22 maj 2017 Në ora: 19:55
Komisioni Europian

Komisioni Europian do të publikojë të Martën më 23 maj raportin më të fundit për reformat e 5 vendeve kandidate dhe ato potencialisht kandidate, mes të cilave edhe Shqipëria.

Nga ky raport pritet që Komisioni i Çështjeve Ekonomike dhe Financiare në Bruksel të vendosë piketat kryesore të reformave që duhet të ndjekë vendi ynë në mënyrë që të mund të aspirojë për t`u bërë realisht një prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Dokumenti është një ndër më të rëndësishmit jo vetëm në nivel rajonal dhe ndërkombëtar por edhe për vetë qeverinë shqiptare, pasi përcakton qartë se ku duhet të fokusohen politikat ekonomike dhe financiare për të vijuar procesin e integrimit dhe për të qenë sa më afër standardeve europiane.

Veçse përcakton linjat kyçe të politikave në të ardhmen, Komisioni Europian në këtë raport vlerëson edhe progresin e reformave ekonomike për vendet kandidate dhe ato potencialisht kandidate.

Në raportin e fundit të progresit drejt përmbushjes së kritereve ekonomike për anëtarësimin në Bashkimin Europian, të publikuar më 13 dhjetor të vitit të kaluar, Komisioni Europian evidentonte tre çështje kryesore ndaj të cilave vendi ynë duhej të tregonte kujdes; përmirësimi i mbledhjes së taksave, forcimi i stabilitetit financiar dhe politika më të zgjeruara në tregun e punës.

Veç Shqipërisë, Komisioni Europian do të vlerësojë reformat ekonomike edhe për Serbinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Turqinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat