Mesazhi i Bashës për qeverinë teknike dhe dënimet për shitblerjen e votës

Shqipëria

Mesazhi i Bashës për qeverinë teknike dhe dënimet për shitblerjen e votës

Më: 23 maj 2017 Në ora: 10:58
Kreu i PD-së, Lulzim Basha

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar përmes një statusi në “Facebook” për votimet e djeshme në Parlament dhe për ashpërsimin e dënimeve për shitblerjen e votës.

Basha ka përshëndetur votimin e qeverisë teknike dhe shkruan se koha për Republikën e Re po vjen.

STATUSI

Mbrëmë u hodh një hap i rëndësishëm drejt zgjedhjeve të lira dhe Republikës së Re: Kuvendi shpalli ligjërisht krim serioz çdo lloj përpjekjeje apo veprimi që kufizon apo cënon vullnetin e lirë dhe votën e lirë të qytetarëve.

Dënime të rënda i presin tani, matrapazët e zinj të blerjes së votës, kriminelët e rrugës dhe ata në poste shtetërore që kërcënojnë apo detyrojnë me forcë qytetarët të votojnë kundër vullnetit të tyre, komisionerët, numëruesit dhe punonjësit zgjedhorë që manipulojnë votimin dhe numërimin e votave. Policët dhe ushtarakët të cilët në vend që të mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhunojnë të drejtën e shenjtë të votës, punonjësit e shtetit që paratë dhe pasuritë që u takojnë qytetarëve i vënë në shërbim të partisë.

Me forcën dhe vendosmërinë që treguam 90 ditët e qëndresës sonë historike, ne do bëhemi barrierë ndaj kriminelëve zgjedhorë që ata të mos guxojnë të dhunojnë lirinë e votës, sepse do të humbasin lirinë e tyre. Puna e ndershme dhe kurajoze e ministrave teknikë, drejtimi i paanshëm i KQZ-së, kufizimi i shpenzimeve zgjedhore dhe masat e tjera që po ndërmarrim për zgjedhje të lira dhe të ndershme, do u japin qytetarëve mundësinë dhe garancitë që të zgjedhin lirisht qeverinë që ata duan t’i drejtojë.

Koha e maskarenjve po mbaron. Tani është koha për Republikën e Re, republikën e lirisë dhe demokracisë së vërtetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat