Motta: Prodhimi i kanabisit i konsiderueshëm. Vlerëson sekuestrimet

Shqipëria

Motta: Prodhimi i kanabisit i konsiderueshëm. Vlerëson sekuestrimet

Më: 23 maj 2017 Në ora: 18:53
Ish-kreu i antimafies italiane në Leçe, Cataldo Motta

Ish-kreu i antimafies italiane në Leçe,  Cataldo Motta thotë se situata e trafikut të drogës mund të thuhet se është nën kontroll dhe vlerëson skuadrën e përbashkët të hetimit që u ngrit në dhjetor. I pranishëm në Tiranë në konferencën  ndërkombëtare “Qasjet e reja hetimore ndaj organizatave kriminale qe përdorin internetin”. Duke iu referuar të dhënave nga Guardia di Financa Motta thotë se prodhimi është në sasi të konsiderueshme por vlerëson shumë të mirë bashkëpunimin dhe sekuestrimin e sasive të mëdha të ngarkesave me drogë

Cataldo Motta: Situata e trafikut të drogës mund të thuhet që është nën kontroll. Në kuptimin që kemi një bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe kemi ngritur një skuadër të përbashkët hetimi (që u ngrit në dhjetor) dhe hetimet po japin rezultate të mira. Është përmirësuar shumë bashkëpunimi. Hetimet e përbashkëta janë shumë të rëndësishme, sepse punohet për të njëjtin hetim parë nga këndvështrime të ndryshme. Secili vë në dispozicion të tjetrit njohuritë që ka përfituar në hetim. Ndër të paktat gjëra që besoj është bashkëpunimi internacional. Prodhim ka pasur, Lazarati ka qenë një zonë e njohur e prodhimit. Është e  pamundur që nga një moment në tjetër të ndërpritet.  Pasi sasia ka qenë e konsiderueshme dhe nuk mund ta  zhdukësh nga një moment në tjetrin.

Sipas të dhënave të “Guardia di Financa”, prodhimi është në sasi të konsiderueshme por është e rëndësishme që falë hetimeve bëhen dhe një numër i madh sekuestrosh, si në ujërat e kanalit të Otrantos ashtu dhe me destinacion Leçen. Do kërkojë një ndërhyrje shumë të gjatë për të çuar në pakësim, nuk mund të mbarojë nga momenti në momentin. Besoj se rezultat i mirë janë sekuestrimet, do të thotë që ka një bashkëpunim shumë të rëndësishëm dhe skuadra investigative e përbashkët po ia del.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat