Basha: Ndryshimi më i madh i Republikës së Re, kthimi i pushtetit te njerëzit

Shqipëria

Basha: Ndryshimi më i madh i Republikës së Re, kthimi i pushtetit te njerëzit

Më: 24 maj 2017 Në ora: 17:41
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka thënë të mërkurën se kryeministri Edi Rama mendon, se pasi i gënjeu njerëzit njëherë, mund t’i gënjejë përsëri pasi nuk mbajti asnjë premtim, qoftë edhe një të vetëm dhe tash ai ka filluar të premtojë nga e para.

“Premtoi 300 mijë vende pune, por nuk hapi asnjë. 300 mijë shqiptarë e braktisën Shqipërinë katër vitet e fundit për të gjetur punë në emigrim, por në vend të kërkojë falje, ai po gënjen prapë se do të hapë 220 mijë vende në mandatin e dytë. Në katër vite, të varfrit u varfëruan më shumë, ndërsa një grusht oligarkësh u bënë më të pasur nga favoret e qeverisë, por ai prapë gënjen kur thotë se do të punojë për të varfrit. Shëndetësia e premtuar falas është rrënuar dhe njerëzit paguajnë çdo gjë nga xhepi i tyre, por ai gënjen edhe një herë duke premtuar se do e bëjë falas në mandatin e dytë”, shkruan Basha në statusin e tij social.

Për më tepër, kreu i PD-së akuzoi Ramën se ka braktisur fermerët, të cilëve nuk u ka dhënë kurrë mbështetje, ndërsa tani premton se me të do të lulëzojë bujqësia.

“Krimi zaptoi shtetin e ekonominë dhe kanabisi mbuloi Shqipërinë, por ai thotë se ka bërë shtet dhe do bëjë edhe më shumë shtet”, tha Basha.

Sipas Bashës, ndryshimi më i madh që do të sjellë Republika e Re është kthimi i pushtetit te njerëzit, të cilët do të kenë mundësi të jetojnë në mënyrë të ndershme, me punën dhe aftësitë e tyre. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat