Ministrja e re e Financave paralajmëron administratën doganore

Shqipëria

Ministrja e re e Financave paralajmëron administratën doganore

Më: 25 maj 2017 Në ora: 12:34
Ministrja e Financave Helga Vukaj

Ministrja e Financave Helga Vukaj, vetëm dy ditë pasi mori këtë post, ka bërë një inspektim në Degën Doganore të Durrësit.

Gjatë këtij inspektimi, Vukaj ka qenë e prerë ndaj administratës doganore, ku ka kërkuar që të distancohen nga çdo veprim i paligjshëm që cenon standardet zgjedhore.

“Ministrja Vukaj theksoi rëndësinë e përmbushjes së objektivave fiskalë dhe vlerësimin strikt të procedurave doganore për të shmangur çdo rast abuzimi, që favorizon operatorë të veçantë të biznesit, me qëllim financimin e aktiviteteve elektorale”- njofton zyra për shtyp e saj.

Madje, ministrja e re, ka paralajmëruar të gjithë ata që do të shkelin ligjin dhe do të përfshihen në fushatë se do të ketë jo vetëm masa administrative, por edhe penale ndaj tyre.

“Ajo kërkoi me prioritet nga agjencitë ligjzbatuese rritjen e eficencës së kontrolleve doganore kundër trafikut të drogës dhe hartimin e një plan-veprimi për një reagim të shpejtë dhe të koordinuar me Policinë Kufitare”- theksohet më tej në njoftim.

Në takimin me Shërbimin Doganor dhe Policinë Kufitare Durrës, ministrja e Financave Helga Vukaj shoqërohej edhe nga ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat