Ruli lë politikën. Nga marrëdhëniet me Berishën e Bashën te largimi para listave

Shqipëria

Ruli lë politikën. Nga marrëdhëniet me Berishën e Bashën te largimi para listave

Më: 26 maj 2017 Në ora: 08:35
Genc Ruli dhe Lulzim Basha

Një nga themeluesit e Partisë Demokratike, dhe ish-ministri, Genc Ruli, ka vendosur të heqë dorë nga politika, duke i kërkuar zyrtarisht kreut të PD-së, Lulzim Basha, të mos e përfshijë në listat për deputetë për zgjedhjet e 25 qershorit.

avarësisht se vendimi i Rulit për të mos qenë më pjesë e listave të PD-së për deputetë është bërë publik dje nga vetë ai, kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka qenë në dijeni të këtij vendimi prej disa muajsh.

Ish-ministri Genc Ruli ka deklaruar se vendimi i tij për t’u larguar nga politika aktive është marrë prej kohësh dhe në dijeni për këtë vendim ka qenë edhe kreu i PD-së Basha.

“I kam deklaruar Bashës se do të tërhiqem dhe nuk do të angazhohem në politikë. Për këtë çështje do të flas më shumë në një moment të dytë. Duhet të ketë vend për gjak të ri në PD, ndaj edhe unë kam marrë këtë vendim”, sqaron deputeti demokrat.

Por burime pranë PD-së sqarojnë se vendimin për t’u tërhequr nga politika, Ruli ia ka komunikuar kreut të PD-së Basha që nga koha kur opozita vijonte protestën e saj në çadrën përpara Kryeministrisë dhe listat për deputetë nuk kishin nisur të hartoheshin.

Ruli u ka kërkuar eksponentëve të lartë brenda dhe bashkëpunëtorëve të kreut të PD-së që emri i tij të mos përfshihej në lista, duke u hequr mundësinë e kandidimit emrave të tjerë, pasi ai kishte vendosur të tërhiqej.

Largimin e tij, Ruli e paralajmëroi që në shtator të vitit 2014, kur dha dorëheqjen nga pozicioni i nënkryetarit të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese në Kuvend. Në atë kohë, vetë Ruli deklaroi se vendimi ishte politik dhe lidhej me krijimin e disa komisioneve paralele me Kuvendin brenda PD-së, të cilat do të jepnin sugjerime për oponencën që duhet t’u bënin deputetët e opozitës ligjeve që vinin në Parlament.

Por pas kërkesës nga kreu i PD-së Basha për të qëndruar, Ruli u tërhoq nga vendimmarrja e tij, duke qëndruar deri në fund të kësaj legjislature si nënkryetar i Komisionit.

KARRIERA

Genc Ruli është një nga themeluesit e Partisë Demokratike. Ruli është zgjedhur deputet në qarkun e Tiranës që nga legjislatura e parë në vitin 1991. Në qeverinë e stabilitetit të drejtuar nga Ylli Bufi, Genc Ruli ka mbajtur postin e ministrit të Financave.

Post ministror, post në Ministrinë e Ekonomisë Genc Ruli ka mbajtur edhe në qeverinë e drejtuar nga Aleksandër Meksi, por për shkak të një hetimi të nisur ndaj tij në nëntor të vitit 1993, Ruli dha dorëheqjen.

Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, deklaroi : “Mafia e drurit të arrës, me Rulin e kompani, po financon partinë…”. Por pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për heqje mandati, Parlamenti refuzoi t’i hiqte mandatin. Kjo ngjarje shënoi edhe çarjen e marrëdhënieve mes Rulit dhe Berishës, e cila e mbajti ish-ministrin larg nga politika deri në vitin 2005.

Në këtë vit Berisha e ftoi sërish Rulin të ishte pjesë e politikës aktive, duke e emëruar edhe në krye të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës. Ruli ka mbajtur post ministror edhe në mandatin e dytë të qeverisë “Berisha”, ku ka drejtuar Ministrinë e Bujqësisë. Ruli drejtoi listën e PD-së edhe në vitin 2013, ndërkohë që në fushatën e ardhshme zgjedhore ka preferuar të jetë vetëm një mbështetës i thjeshtë i Partisë Demokratike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat