“Regjistri i ndërmarrjeve 2016”-Ekonomia shqiptare është e përqendruar kryesisht në aktivitetin tregtar

Shqipëria

“Regjistri i ndërmarrjeve 2016”-Ekonomia shqiptare është e përqendruar kryesisht në aktivitetin tregtar

Më: 1 qershor 2017 Në ora: 15:16
Instituti i Statitikave (INSTAT)

Regjistri i ndërmarrjeve në fund të vitit 2016 numëron 160.679 ndërmarrje aktive, duke shënuar një rritje prej 5,5 %, krahasuar me vitin 2015. Instituti i Statitikave (INSTAT) pubikoi të enjten botimin vjetor “Regjistri i ndërmarrjeve 2016”. Sipas INSTAT-it, deri në fund të viti 2016, numri i fermerëve të cilët janë regjistruar në zyrat e tatimeve llogaritet 31.372.

Ekonomia shqiptare është e përqendruar kryesisht në aktivitetin tregtar, fenomen i cili vihet re edhe në ndërmarrjet e regjistruara gjatë vitit 2016. Regjistrimet e reja numërojnë 21,6 % të ndërmarrjeve tregtare në vitin 2016.

Ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar, zënë vetëm 1,1 % të totalit të ndërmarrjeve aktive dhe kontributi i tyre në punësim llogaritet në 48,3 % në vitin 2016 nga 46,2 % që ishte në vitin 2015.

Ndërmarrje të huaja e të përbashkëta zënë 3,5 % të ndërmarrjeve aktive, nga ku 47,2 % e tyre janë me origjinë nga Italia dhe 9,2 % nga Greqia. Femrat drejtojnë / zotërojnë 26,8 % të ndërmarrjeve aktive nga 31,3 % në fund të vitit 2015.

Aktiviteti ekonomik “tregti” përfaqëson 21,6 % të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2016. Rreth 90 % e ndërmarrjeve aktive janë ndërmarrje të vogla me 1-4 të punësuar. Pjesa më e madhe e tyre, 61,8 %,janë ndërmarrje me një të punësuar.

Në qarqet Tiranë, Fier e Korçë janë përqendruar rreth 54,7 % e ndërmarrjeve aktive. Numri më i madh i ndërmarrjeve shënohet në qarkun e Tiranës me 53.405 ndërmarrje, ndërsa numri më i vogël në qarkun e Kukësit me 1.780 ndërmarrje.

Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta

Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zënë 3,5 % të ndërmarrjeve aktive, krahasuar me 3,9 % të ndërmarrjeve aktive në vitin 2015, dhe punësojnë 12,8 % të të punësuarve gjithsej.

Ndërmarrjet nga vendet Bashkimit Evropian përfaqësojnë 68,8 % të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta, nga të cilët pronarët apo bashkëpronarët me origjinë italiane dhe greke përfaqësojnë 56,4 % të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta gjithsej.

Aktivitetet ekonomike si call center, prodhim këpucë dhe aktivitetet bankare, janë aktivitetet ku kryesisht pronarët / bashkëpronarët janë të huaj. Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në qarqet Tiranë dhe Durrës, me 80,9 %.

Njësitë lokale

Në fund të vitit 2016 regjistrohen 173.361 njësi lokale nga të cilat 159.023 prej tyre ushtrojnë aktivitetin ekonomik në 1 vendndodhje. Ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitetin në më shumë se një vendndodhje janë 1.656 dhe përfaqësojnë vetëm 1 % të ndërmarrjeve aktive dhe numri i të punësuarve në to është 28,9 % e numrit të të punësuarve gjithsej.

Zhvillimi ekonomik sipas rajoneve statistikore, NUTS

Për nga ndarja rajonale (shih faqe nr.5), rajoni më i zhvilluar është rajoni qendër ku përfshihen qarqet Tiranë dhe Elbasan. Këtu janë përqendruar 41,5 % e ndërmarrjeve aktive. E njëjta situatë ndeshet edhe me ndërmarrjet e regjistruara gjatë këtij viti, me 40,5 %. Të punësuarit në këtë rajon zënë 55 % të të punësuarve gjithsej. Aktiviteti ekonomik tregtar mbizotëron ndaj aktiviteteve të tjera, me 42 %.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat