Kryeministri Rama inspektime në Gjirokastër

Shqipëria

Kryeministri Rama inspektime në Gjirokastër

Më: 3 qershor 2017 Në ora: 16:07
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar Qendrën e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) në Gjirokastër.

Nevoja për shërbime publike të shpejta dhe transparente është gjithnjë e më shumë në rritje dhe ADISA është shembulli i duhur i plotësimit të këtyre standardeve europiane. Të gjithë zyrat e ADISA janë të lidhur me institucionet shtetërore që ofrojnë shërbime për qytetarin.

“ADISA Gjirokastër është qendra e 5-të që hapet në Shqipëri. Aktualisht, në qendrën e Gjirokastrës mund të aksesohen 235 shërbime. Këtu ndodhen disa institucione, zyra pritëse e ZRPP-së, Karta e Shëndetit, QKB-ja, Gjendja Civile etj. Në total janë 22 sportele. Në Gjirokastër kemi risinë se është edhe ALEAT-i, si pjesë e qendrës,” – u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e ADISA.

ADISA është mirëpritur nga qytetarët. Sipas ministres Harito, fluksi është tepër i lartë në të gjithë zyrat, veçanërisht në Tiranë. Kjo ka bërë që Drejtoria e Përgjithshme e ADISA-s të shohë mundësinë e zgjerimit të zyrës së saj në Tiranë. “Në Fier, zyra është hapur para dy javësh dhe deri tani ka pasur 3000 aplikime. Në Tiranë, që është zyra më e madhe, nga 1 shtatori ka pasur 20 000 aplikime për rivlerësim të pasurisë”, – tha ministrja Harito.

Pranë ADISA bëhen aplikimet për shërbime të ndryshme, të cilat i përcillen institucioneve që më pas prodhojnë dokumentin e kërkuar. Ofrimi i shërbimeve publike të integruara ndajnë sportele ku ofrohet shërbimi nga institucionet që prodhon shërbimin, duke eliminuar edhe rastet abuzive.

“Shtrirja e gjithë këtyre stacioneve në gjithë Shqipërinë, – u shpreh Kryeministri Rama, – do transformojë komplet shërbimin për qytetarët, që nuk do jetë nevoja të ikin në qindra dyer e zyra, por vijnë këtu direkt dhe ose e marrin në shtëpi përgjigjen, ose e marrin në zyrën përkatëse, sipas rastit, gjithmonë pa kaluar nga kanalet e ryshfeteve. Ajo që do ta rrisë dhe më shumë është kur të fuqizohet shërbimi online. Njerëzve t’u thuhet që këtë shërbim mund ta marrësh nga shtëpia, nga telefoni, nga kompjuteri e nuk ka nevojë të vish në zyrë. Në të gjitha bashkitë, për katër vite, ne do ta plotësojmë këtë sistem dhe me këtë sistem mbyllet cikli shumë vjeçar i torturave nëpër zyra.”

Kryeministri ka inspektuar edhe punimet për rikonstruksionin e Kishës së Shën Mërisë, në qendër të fshatit Labovë të krahinës së Lunxhërisë, në Gjirokastër, si dhe rrugën Kthesa e Labovës.

Punimet për rikonstruksionin e restaurimin e Kishës përfshijnë rregullimin e kupolës, shtresat mbrojtëse për pikturën, restaurimin e dyshemesë, çatisë, dritareve, si dhe konsolidimin e murit rrethues. Ndërhyrjet restauruese kanë si qëllim ruajtjen e vlerave origjinale dhe ekspozimin e tyre në mënyrë sa më dinjitoze, për vizitorët vendas dhe të huaj. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro vizitoi Kishën e Shën Mërisë dhe pa nga afër punimet për restaurimin e saj.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës shpjegoi se tashmë ka përfunduar restaurimi i jashtëm i saj dhe se punimet po vijojnë në mjediset e brendshme me një teknologji të përparuar “Është një nga kishat më të rralla që kemi, të periudhës bizantine e rrallë sepse ka portretin e Justinianit dhe vetëm dy të tilla janë të faktuara. Kishte probleme strukturale shumë të rënda, kupola ishte zhvendosur nga vertikaliteti prej qindra vitesh e tashmë po e konsolidojmë. Tani po kalojmë në restaurimin e pjesës së brendshme.”

Paralelisht me restaurimin e Kishës së Shën Mërisë po bëhet edhe rikonstruksioni i rrugës Kthesa e Labovës – Labovë e Kryqit, me gjatësi 7.9 km. Rruga nis me kryqëzimin e rrugës nacionale Libohovë-Poliçan, deri në fund tek fshati Labove pranë Kishës. Përmirësimi i gjurmës ekzistuese, shtresave dhe sinjalistikës së rrugës, ndriçimi dhe rritja e sigurisë, janë synim i projektit.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro u shpreh se infrastruktura e dëmtuar e kësaj zone ka qenë një pengesë e madhe për turizmin. “Është një investim prej 230 mijë eurosh, vetëm për kishën. Ndërkohë që bashkë me infrastrukturën dhe me rrugën shkon rreth 1 milion euro. Për shkak se këtu vinin turistët dhe ngelnin në mes të rrugës.

Nga qytetarët është mirëpritur restaurimi i Kishës dhe rikonstruksioni i rrugës, të cilat prej dekadash ishin lënë në harresë. “25 vjet asnjeri nuk vuri dorë këtu,” – u shpreh një nga banorët.

Pas vizitës në Kishën e Shën Mërisë, Kryeministri Edi Rama u ndal në fshatin Labovë, ku u takua me banorë të zonës. Projektet në infrastrukturë, bujqësia dhe zhvillimi i turizmit në këtë zonë të bekuar me bukuri natyrore, ishin disa nga temat e bisedës.
Për banorët e kësaj zone, ndërtimi i rrugës do të thotë shumë. Amortizimi i saj, prej shumë kohësh, kishte vështirësuar ndjeshëm komunikimin deri në izolim. Tani që u bë rruga, ne pamë dritë me sy. Kemi 25 vjet që na thonin këtu e kemi, në program, por asgjë nuk u bë!” shprehet nje banore e zonës.

Kryeministri Rama premtoi se edhe më shumë do të investohet në të ardhmen për këtë zonë. Por për këtë ai kërkoi që banorët ti japin serish votëbesimin Partisë Socialiste. “Rrugën, kishën e të gjitha këto nuk i kam bërë as unë, as Mirela, i keni bërë ju kur keni votuar Luizën. Që do të thotë se vota është për të marrë në punë njerëzit e duhur. Unë jam i bindur që ne do vazhdojmë të bëjmë më shumë, sepse ka akoma shumë për të bërë këtu, se nuk mbaron me kaq. Gratë duhet të na ndihmojnë shumë këtë radhë. Sepse ne kemi nevojë për më shumë mbështetje që të bëjmë më shumë punë. Nuk mund të bëhen më shumë punë duke qenë shteti i ndarë në republika partish. Duhet këtë herë të na e lini timonin pa njerëz në prehër. Sepse nuk ecim dot shpejt dhe drejt nëse kemi të tjerë që na tundin timonin. Dhe gratë duhet të votojnë vetëm për PS, le të jenë të majta, le të jenë të djathta, sepse PD nuk ka vënë asnjë grua në listë për të përfaqësuar gratë dhe vajat e gjithë kësaj zone që mundet kenë mendime të tjera nga tonat. Por këtu nuk është puna çfarë mendimesh keni por është puna se kush e bën punën. Se nuk duhet ndonjë filozofi e madhe por duhet punë. Për të bërë këto punë që u bënë këtu e për të bërë dhe shumë më tepër se kaq.

Nuk e duam pushtetin për vete, se po ta donim për vete i kishim lënë në çadër ata akoma e do ishin me rroba banjo tani e do ti çonim autobotin me ujë për tu freskuar, por e bëmë për Shqipërinë, e bëmë që njerëzit të ndihen të qetë, të mos kenë ankth e që të mos mbetet një pjesë e njerëzve pa u përfshirë në proces. Ama tani na duhet që të na jepni mbështetje, sepse na duhet të bëjmë më shumë për punësimi, për ekonominë, për bujqësinë e që të bëjmë më shumë për të gjitha këto duhet të kemi një shtet më të fortë”, u shpreh Kryeministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat