Elbasan - Basha: Në ditën e parë do firmos anulimin e ligjit të arsimit

Shqipëria

Elbasan - Basha: Në ditën e parë do firmos anulimin e ligjit të arsimit

Më: 8 qershor 2017 Në ora: 21:08
Lulzim Basha

Lulzim Basha ua premtoi drejtpërdrejt studentëve të Elbasanit, anulimin e ligjit të arsimit të lartë që në ditën e parë si kryeministër. Kryetari i opozitës tha se me këtë ligj, studentët dhe familjet e tyre e kanë lakun në fyt nga pamundësia për të paguar tarifat e kripura.

Basha: Kjo merr fund me 25 qershor me votën tuaj për Republikën e Re, e në vecanti me votën e maturantëve sepse do të jetë gjenerata e parë që me votë do ti japë fund republikës së politikanëve dhe do vendosi këtu republikën e qytetarëve dhe të rinjve. Republika e të rinjve do të thotë anullim ditën e parë, orën e parë te Dëshmorët e Kombit, sic e kam premtuar. Jo brenda në zyrë, por aty do të vendosim një tavolinë dhe do ti ftojmë të gjithë ata që janë viktimizuar me të padrejtë nga ligji për arsimin e lartë. Studentë dhe pedagogë do të anullojnë ligjin për arsimin e lartë.

Basha prezantoi edhe rrugëzgjidhjet që ka në programin e tij. Një ndër to është dhënia e mundësisë çdo studenti për t’u arsimuar, edhe nëse nuk ka mundësi për të paguar.

Basha: Thelbi i ligjit të ri do të jetë ky: Së pari nuk do të ketë asnjë djalë apo vajzë, asnjë bir apo bijë shqiptari që të mbetet pa shkollë të lartë për shkak të pamundësisë ekonomike të prindërve dhe familjes së vet. Kjo merr fund. Institucionet publike të arsimit të lartë, universitetet publike shqiptare do të kenë mjaftueshëm vende që dëshiron dhe ka meritën të ndjekë shkollën e lartë. Së dyti, tarifat universitare nuk do të trajtohen sic është trajtuar gjithcka këtu. Universitetet publike do të kenë tarifa të përballueshme, të ulura, tarifa të cilat do të mundësojnë që të mos ketë kokëdhimbje dhe dilema as prindi as studenti sa i përket ecurisë së tre viteve Bachelor dhe masterit.  

Nën qeverisjen e Partisë Demokratike, tha Basha arsimi publik do të financohet nga buxheti i shtetit, dhe tarifat do të ulen ndjeshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat