Basha: Plan ekonomik, që do të nxisë punësimin dhe rritjen ekonomike

Shqipëria

Basha: Plan ekonomik, që do të nxisë punësimin dhe rritjen ekonomike

Më: 9 qershor 2017 Në ora: 23:36
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi të premten nga Shkodra, se “në qendër të programit elektoral të PD-së është plani ekonomik që do të nxjerrë Shqipërinë nga kriza, do të ndezë motorrët e rritjes ekonomike dhe që ka në qendër punësimin”.

Në vijim të takimeve elektorale, Basha u ndal në Shkodër ku sqaroi prioritetet e programit elektoral të PD-së. Sipas tij, ato nuk janë premtime, pasi secila prej tyre është pjesë e një plani që funksionon bashkë. “Një revolucion i vërtetë fiskal që do të çlirojë qindra milionë euro, që do të nxisë prodhimin dhe do të çojë në rritjen e kërkesës për punësim. Ulja e taksave, taksa e sheshtë 9 për qind, çmimi i energjisë më i lirë në rajon, do ta bëjnë Shqipërinë vendin më tërheqës për investime të brendshme dhe të huaja”, tha Basha.

Ndërkohë sipas Bashës, “kryeministri Edi Rama po sillet vërdallë nëpër Shqipëri pa program dhe pa bilanc”. “Rama duhet të japë llogari se ku i ka premtimet me të cilat erdhi në pushtet. Ku i ka 300 mijë vendet e punës? Duhet të bëjë bilancin e 4 viteve dhe 16 milionë eurove që harxhoi si kryeministër”, tha Basha.

Kreu i PD-së u shpreh se Rama nuk duhet të konsiderojë mashtrim, premtimin e PD-së për subvencionimin e bujqësisë, pasi 60 për qind e buxhetit të BE-së shpenzohet për subvencione për bujqësinë”. “Mashtrim është ulja e taksave, shëndetësia falas, 300 mijë vendet e punës. Edi Rama nuk mendoi për Shkodrën dhe nuk e trajtoi atë si pjesë të së njëjtës Shqipëri, por me një urrejtje patologjike për Shkodrën e veriun. Në 25 qershor do të marrë fund njëherë e përgjithmonë diskriminimi krahinor dhe unë do të jem kryeministri i çdo shqiptari, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, pa asnjë diskriminim”, tha Basha.

Sipas tij, rinia shqiptare që duhet të ishte në ballë të zhvillimit dhe ekonomisë, sot është në ballë të dëshirës për t’u larguar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat