Tjetër incident elektoral, thyerje xhamash e prerje gomash në Fierzë

Shqipëria

Tjetër incident elektoral, thyerje xhamash e prerje gomash në Fierzë

Më: 18 qershor 2017 Në ora: 10:11
Policia shqiptare

Mbrëmjen e djeshme kryeplaku i fshatit Fierzë në Pukë, ka denoncuar në polici se persona të paidentifikuar i kanë dëmtuar automjetin në pronësi të tij duke i thyer xhamat dhe çarë gomat. Njëherësh ai është kryetar grup seksioni i një partie.

GJ.P 55 vjeç ka dëshmuar se automjeti  tip Mitsubishi me targe AA 152 LG ka qenë prej tre ditësh i parkuar në afërsi të shkollës në Fierzë. Ai ka shtuar se nuk ka dijeni se kur mund të ketë ndodhur ngjarja, pasi thyerjen e xhamave të shoferit, dhe prerjen e katër gomave, i ka konstatuar vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme.

“Menjëherë është ngritur grupi hetimor me qëllim verifikimin, kryerjen e veprimeve hetimore e procedurale për zbardhjen e ngjarjes e identifikimin dhe kapjen e autorëve. Po vijojnë  hetimet për  zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, thotë Policia e Shkodrës në një njoftim zyrtar.

Së fundi, veçanërisht nga radhët e LSI-së janë denoncuar publikisht nga përfaqësues të kësaj force politike, raste të dhunimit të simpatizantëve apo aktivistëve të LSI-së për motive politike, nga kundërshtarët. Rastet janë marrë në hetim nga prokuroritë e rretheve përkatëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat