“Prioritetet e Ramës ishin të gabuara, dënuan qytetarët”

Shqipëria

“Prioritetet e Ramës ishin të gabuara, dënuan qytetarët”

Më: 20 qershor 2017 Në ora: 08:48
Nënkryetare e Këshillit Bashkiak

Nada Meçorapaj renditet e dyta në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës. E diplomuar për Administrim Biznes, Meçorapaj në një intervistë për “Panorama”, shpjegon arsyet përse programi i Lulzim Bashës për përgjysmim të taksave do të çlirojë të gjitha ato energji ekonomike të tkurrura dhe të trembura nga administrata e Ramës.

Nënkryetare e Këshillit Bashkiak dhe për shumë vjet eksperte e çështjeve të turizmit, kandidatja demokrate në Vlorë thekson se e mbështet Lungomaren si ide, por sqaron se për atë projekt janë investuar disa milionë euro më shumë sesa duhet, ndërkohë që nuk është përfunduar ende 30% e punës.

Sipas Meçorapajt, qeveria Rama i ka caktuar gabim prioritetet e saj, duke dënuar me këtë rast qytetarët shqiptarë.

Znj. Meçorapaj, ju vini nga strukturat e Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës. Keni qenë aktiviste e PD-së në Vlorë, degë në të cilën keni mbajtur disa detyra. Si e pritët ftesën e Bashës për të qenë përfaqësuese e vlonjatëve në Parlament, pasi jeni e renditur në atë që quhet “vendet e sigurta” të listës së Vlorës?

Vendimin e kryetarit Basha për të më konsideruar mua si një prej kandidatëve në listat e opozitës për qarkun e Vlorës, bazuar mbi propozimet që i kishin shkuar nga baza, e kam pritur me emocion të madh, por jo vetëm me emocion. Kam qenë dhe jam ende e mbushur me një ndjenjë përgjegjësie dhe detyrimi ndaj tij, Partisë Demokratike dhe strukturave të partisë këtu në bazë, në qytetin tim. Mundësia që më jepet për t’i përfaqësuar ata në Parlament është krenari për mua. Do të jem e vëmendshme dhe e përgjegjshme që të mos i zhgënjej e të punoj për ta dhe për qytetin tim.

Në Këshillin Bashkiak të Vlorës, ku aktualisht mbani edhe postin e nënkryetares, më herët jeni angazhuar për çështjen e turizmit. Mendoni se është një vlerë e shtuar shëtitorja e Lungomares sa i takon turizmit në Vlorë dhe cili duhet të jetë, sipas jush, fokusi i qeverisë së ardhshme në fushën e turizmit?

Unë e mbështes Lungomaren si ide, si pjesë e zgjidhjeve për një Vlorë turistike, por nuk mund të rri pa vënë re disa gjëra thelbësore, të cilat duheshin konsideruar edhe nga qeveria dhe pushteti lokal këtu në Vlorë. E para, është zgjatja e këtij projekti në kohë. E dyta, është mungesa e një plani të qartë për kohën, shpenzimet, pengesat etj. E treta, është bllokimi i tri sezoneve turistike nga ky projekt. E katërta, është cilësia e punimeve. Në bisedat me vlonjatët dëgjon shpesh ankesa se është përdorur më shumë beton sesa është e nevojshme. Gjithashtu u duket i çuditshëm “kurrizi i breshkës” në mes të dy korsive për makinat. A do ta përballojë vetëm një korsi në secilën anë trafikun e rënduar të verës? Shpresoj që po, por kam frikë se jo. Përmbledhtazi Lungomareja është një projekt maksimalist në konceptim, kur Vlorës do t’ia kishte zgjidhur hallin edhe një projekt minimalist më i thjeshtë, që do të kursente disa miliona euro dhe tri sezone turistike. Vlora nuk mund të kthehet në një Lungomare pa qytet. Projekti e kërkon edhe një vit tjetër punë. Në Tiranë ka mbërritur lajmi, nëpërmjet medias, se Lungomareja është përfunduar, por ne që jetojmë në Vlorë e dimë se nuk është kështu. Rreth 30 për qind e punimeve janë të pambyllura. Me fitoren e Partisë Demokratike ne do ta mbyllim para dimrit, në mënyrë që të mos pengohet edhe sezoni tjetër turistik.

Cilat janë problematikat më serioze, me të cilat përballet Vlora sot dhe çfarë duhet të ndryshojë urgjentisht në qytet?

Fshatrat nuk furnizohen ende me energji elektrike dhe ujë. Ka mungesa në infrastrukturën bazike. Qeveria Rama ia ka caktuar gabim prioritetet vetes, duke dënuar me këtë rast publikun. Dua të bëj një krahasim të thjeshtë: nëse një grua ka problem me tiroidet, ajo nuk mund të shërohet duke shtuar rimelin e syve. Kështu, edhe fshatrat apo qytetet nuk rregullohen duke meremetuar qendrat, por duke e filluar nga ekonomia e banorëve. Programi i Partisë Demokratike dhe i Bashës është i qartë: ia fillojmë nga ekonomia! Qyteti ka mungesa të ngjashme, por në një shkallë më të madhe, pa harruar këtu faktin se ai është arteria kryesore turistike e zonës. Të rinjtë që duan të largohen dhe papunësia janë gangrena e qytetit. Programi i Bashës për përgjysmim të taksave do të çlirojë të gjitha ato energji ekonomike të tkurrura dhe të trembura nga administrata e Ramës. Kjo do të vërë në lëvizje mekanizmat turistikë, duke e kthyer Vlorën në destinacion. Turizmi është pikënisja dhe destinacioni i Vlorës.

Mendoni se ka një përfaqësim të kënaqshëm të vajzave dhe grave në listat e PD-së dhe si e shikoni lënien jashtë listave të disa prej zërave të fortë të opozitës?

Listat nuk janë të përjetshme, siç nuk mund të jenë përjetësisht në lista të njëjtët politikanë. 80 për qind e listave të kandidatëve të opozitës janë të rinovuara dhe mendoj se kjo është një arritje e z. Basha. Vajza dhe gra duhen gjithmonë më shumë, por mendoj se mes atyre që janë ka profile shumë të spikatura, si politike, ashtu dhe nga bota akademike, shoqëria civile apo dhe trashëgimia e Partisë Demokratike.

Si ju duket ekipi i ri i zgjedhur nga Lulzim Basha dhe përse, sipas jush, kishte nevojë PD për fytyra dhe ekip të ri?

Le të imagjinojmë për një çast të kundërtën: sikur kryetari Basha të mos e kishte kryer operacionin e hapjes dhe lista e kandidatëve për deputetë të ishte në masë ajo e vitit 2013. Basha ka kërkuar disa herë ndjesë për gabimet e Partisë Demokratike në qeverisje. Nëse listat nuk do të ishin rinovuar, publiku do t’i shihte ndjesat si hipokrizi. Në këtë kuptim, listat janë një përgjigje ndaj thirrjes së shoqërisë për hapje dhe ndryshim, por edhe nevojë e brendshme e Partisë Demokratike për rinovim.

Cilat nga pikat e programit ekonomik të PD-së mendoni ju se do të kenë impakt të drejtpërdrejtë në familjet shqiptare?

Taksa e sheshtë 9 për qind dhe ulja e TVSH-së nga 20 në 15 për qind. Unë jam e diplomuar në Administrim Biznesi dhe i kuptoj mekanizmat që vë në lëvizje një sistem taksimi i thjeshtë dhe inkurajues për bizneset e vogla dhe individin. Duhet një inkurajim i ekonomisë, duke i dhënë shenja çliruese në sistemin e taksimit dhe mendoj se vetëm për këtë Plani Ekonomik i Bashës dhe Partia Demokratike e meritojnë votën te numri 6 në fletën e votimit të dielën e 25 qershorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat