Surpriza e Bashës: I dimë ku janë fshehur paratë e koncesioneve, do të kthehen

Shqipëria

Surpriza e Bashës: I dimë ku janë fshehur paratë e koncesioneve, do të kthehen

Më: 23 qershor 2017 Në ora: 07:42
Kreu i PD-së, Lulzim Basha

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, deklaron se shqiptarët janë mosbesues në raport me krijimin e një qeverie të madhe PS-PD pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Në një intervistë për emisionin “Top Story” në “Top Channel”, të gazetarit Sokol Balla, kreu i opozitës solli në vëmendje rastin gjerman të bashkëqeverisjes për të treguar se është një koalicion që nuk funksionon.

Por, gjithsesi, Basha nuk mohoi që në varësi të mënyrës se si do të votojnë shqiptarët, PD do të vendosë si kusht vetëm zbatimin e programit të saj për të bashkëpunuar me çdo forcë politike.

Cila është ideja politike e Republikës së Re?

Pjesa politike është ndryshim sistemi. Ndryshim i thellë kushtetues. Në Shqipëri ka humbur lidhja midis politikanit dhe qytetarit, kjo ka ndodhur gradualisht. Përgjegjësia është e të gjitha palëve politike dhe në veçanti e palëve që hartuan ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, me anë të të cilave kryetarët e partive u bënë zotër të Parlamentit. Kreu i maxhorancës zot i Qeverisë, zot i Parlamentit, kreu i opozitës zot i pjesës që mbetet. Me ndryshimet kushtetuese të 2008-s distanca e të zgjedhurve dhe qytetarëve ka arritur në nivele që nuk i ka njohur kurrë më parë në këto 27 vite. Deputetët nuk kanë nevojë të mbajnë marrëdhënie me qytetarët, mjaftojnë ta mbajnë mirë me kryetarin e partisë. Deputetët, duke mos ndjerë përgjegjësi para qytetarëve, jo vetëm tolerojnë, por bëhen pjesë e çdo zullumi ekzekutiv. Reforma e thellë e Republikës së Re do të thotë në radhë të parë t’ua kthejmë pushtetin qytetarëve.

Cili është mekanizmi juaj për ta ndryshuar këtë situatë?

Deputetët do të zgjidhen direkt në zona maxhoritare. Do të jenë 100 deputetë, nuk ka përse të jenë 140 deputetë. Pa korrektim fare. 100 deputetë me 100 zona. Të shkojnë te qytetarët të marrin mandatet e qytetarëve çdo dy vjet. Se çfarë ndodh, e marrin mandatin, sidomos në këtë sistem dhe shtrihen salloneve të Tiranës. Ka deputetë që kanë 4 vite që nuk janë kthyer nj ëherë në zonë. Unë do të luftoj që kjo të ndodhë. Uroj të gjej konsensusin e forcave të tjera politike. Kjo rrugë nuk ndalet me marrëveshjen politike. Kjo rrugë filloi me marrëveshjen politike. Republika e Re ose do të vijë përmes një konsensusi politik për të rikthyer pushtetin te qytetarët me këtë sistem që them unë, ose ne do t’u drejtohemi drejtpërdrejtë qytetarëve.

Qeveria aktuale, kur ka ardhur në pushtet në 2013-n, ka qenë kundër disa koncesioneve që qeveria juaj kishte lënë. Ishte e pamundur për shkak të kontratave që ato koncesione ishin lidhur të prekeshin. Jeni i bindur që ju mund t’i prekni koncesionet?

Ne kemi marrë një model të hartuar nga ekspertë amerikanë për situata të ngjashme korruptive në Afrikë dhe në Amerikën Latine. Ky model që ne do ta vëmë në funksion menjëherë në mbledhjen e Parlamentit të ri, jo vetëm mundëson anulimin e koncesioneve korruptive, por mundëson edhe hapa ligjorë dhe operacionalë për të gjetur dhe kthyer mbrapsht paratë e fituara nga koncesione korruptive. Unë kam kontaktuar me autoritetet amerikane. Unë kam folur gjerësisht për këtë me drejtorin e përgjithshëm të Europolit. Ne do të kemi një asistencë të specializuar, jo vetëm do të anulohen këto koncesione, por paratë do të gjurmohen dhe do të rikthehen aq sa janë. Kjo është e mundur.

Ku janë këto para?

Të paktën për një rast, paratë janë në parajsa fiskale. Është një fakt që e di unë, e di komuniteti diplomatik në Tiranë. Është një fakt që e di Europoli. E kam fjalën për aferën “CEZ”. E kam fjalën për 600 milionëshin e falur dhe paratë që kanë ndërruar duart për shkak të kësaj.

Ministri Gjiknuri…?

Edhe më lart… bëhet fjalë për 600 milionë euro. Për një skemë të thellë korruptive. E dini pse u rritën faturat më pas? Ky është një cirk që do të marrë fund.

Do të bënit koalicion me Ramën pas zgjedhjeve?

Edi Rama nuk ka ulje taksash, por ka rritje taksash në projektin e tij. Kjo është e papranueshme për mua. Unë pres që qytetarët shqiptarë të votojnë masivisht planin tim ekonomik. Edhe me këtë pritshmëri timen, që unë pres të përmbushet nga qytetarët më 25 qershor, unë kërkoj një klimë të re politike. Një kryeministër me një etikë të re. Do të kërkoj bashkëpunimin e çdo faktori politik për të mbështetur iniciativat e mia. I kam votat, sërish do ta kërkoj. Aq më shumë nëse qytetarët do të vendosin për një ndarje tjetër votash, të cilën unë nuk e shpresoj. Sepse besoj që vota për ekonominë do ta nxjerrë fituese PD-në.

Nëse ka ndarje tjetër votash?

Unë do të bashkëpunoj me çdo forcë politike që ndan me mua prioritetet e zhvillimit të Shqipërisë. Kushdo që ndihmon në realizimin e programit tim, e ka derën e hapur për bashkëpunim politik edhe po të jetë në opozitë me PD-në…

Jeni dakord me gjermanët, një përfaqësues i së cilës e ka mbështetur idenë e qeverisë së madhe PS-PD?

Gjermanëve të mi të CDUsë u kam thënë në janar, po e them si me batutë tani. U thashë: “Nuk ju vjen zor që keni 12 vjet që qeverisni, jeni parti e parë dhe socialistët nuk ju lejojnë të ndërmerrni reforma të mëdha. Harxhoni 47% të buxhetit, taksat i keni të larta, ose ulni taksat, ose bëni investime të mëdha publike”. Për fat të keq me koalicionin e madh atje ka ngrirë pikat që CDU ka në programin e saj. Unë pres që shqiptarët ta votojnë programin tim. Unë pres një ndryshim të madh njësoj si në vitin 1992. E dyta që pres është një mosbesim i madh te koalicioni i madh. Pse? Çfarë do me thënë koalicion i madh? Unë them taksa të ul- ëta, ai thotë taksa të rritura. Unë them shpenzime për arsimin, pensionet, ai thotë fasada.

Si i shikoni deklaratat e Metës edhe si President i zgjedhur?

Nuk shoh asgjë antikushtetuese, antiligjore, por nuk mendoj se është etike angazhimi i një individi që është zgjedhur President i Republikës, aq më tepër në tone të larta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat